Sulme kundër Schallenberg: “Sistemi Kurz vazhdon të qeverisë”
Kancelari i ri i Austrisë, Schallenberg u prit me kritika të forta nga opozita gjatë fjalimit prezantues. Ndryshimi i qeverisë është farsë, tha kryetarja e socialdemokratëve Rendi-Wagner.
Seanca e posaçme filloi me një deklaratë të qeverisë dhe Alexander Schallenberg (PVP) iu drejtua parlamentit për herë të parë si Kancelar Federal: “Kohët e vështira ndonjëherë kërkojnë hapa të jashtëzakonshëm. Dhe kurrë nuk e imagjinoja që një ditë do t’ju drejtohesha këtu në dhomë si Kancelari Federal “.
Schallenberg-u foli për rreth dhjetë minuta dhe përshkroi planet më të rëndësishme të qeverisë. Prioriteti kryesor është luftimi i pandemisë. Ekonomia është në rrugën e duhur, tha Schallenberg-u, kjo është arsyeja pse reforma e tatimeve, për të cilën tashmë është rënë dakord duhet të zbatohet – një nga “punët qendrore” të kësaj qeverie, tha Schallenberg. Dora e Partisë Popullore është e shtrirë për të vazhduar punën që ka filluar, ishte mesazhi i tij për partnerin e Gjelbër të koalicionit.
Kritika ndaj “veprimeve keqdashëse” të opozitës
Dhe në drejtim të opozitës, ai tha: “Veprime keqdashëse, si sot, kur u paraqit në mënyrë të përsëritur një mocion mosbesimi kundër ministrit të Financave, Gernot Blümel, atij ministri që sapo ka negociuar një nga reformat më të mëdha tatimore – kjo është e pakuptueshme edhe me vullnetin më të mirë në botë “. Kjo iu drejtohej socialdemokratëve, të cilët kanë vënë në shënjestër me një mocion mosbesimi ndaj Blümelit një nga personat më të besuar politikë të ish-kancelarit Sebastian Kurz.
SPÖ kërkon respekt
Kryetarja e SPÖ, Pamela Rendi-Wagner i kujtoi Schallenberg-ut se ai bëri betimin si Kancelar Federal dhe jo si kreu i Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP): “Në këtë rol, sigurisht që nuk është puna juaj të vini në dyshim instrumente parlamentare të tilla si një mocion mosbesimi. Nuk është puna juaj t’i jepni mësime parlamentit, por ta trajtoni atë me respekt “.
Në fjalimin e saj, Rendi-Wagner lahu hesapet me ish-kancelarin Kurz. Ajo thotë se është zbuluar një sistem i mungesës së skrupujve. Ajo e quajti riorganizimin e qeverisë një farsë: “Sepse ekziston dikush që vazhdon të lëvizë fijet si kancelar në hije dhe nuk jeni ju, zoti Kancelar, ai është Sebastian Kurz-i. Sistemi Kurz vazhdon të qeverisë. Dhe me të kërcënojnë kaosi, paqëndrueshmëria, sulmet ndaj gjyqësorit dhe sundimit të ligjit. E gjithë kjo do të vazhdojë të jetë në rendin e ditës.”
Kurzi nuk ishte i pranishëm në seancë dhe ende nuk ka bërë betimin si deputet. Sidoqoftë, grupi parlamentar i ÖVP e zgjodhi atë njëzëri si kryetar të grupit parlamentar.
Schallenbergu e mbështet Kurzin
Në fjalën e tij, Kancelari Federal Schallenberg theksoi atë që tha një ditë më parë pasi u betua – se do të vazhdojë të punojë ngushtë me Kurz-in, çdo gjë tjetër do të ishte absurde në aspektin e politikës demokratike.
Schallenbergu nuk e komentoi deklaratën e tij të një dite më parë se i konsideron akuzat e prokurorisë ekonomike dhe të korrupsionit kundër Kurzit si të gabuara. Por zëvendëskancelari Werner Kogler i të Gjelbërve tha: “Le ta lëmë drejtësinë të punojë. Le të hetojnë në mënyrë të pavarur.” Kogleri vazhdoi duke thënë se republika tani ka nevojë për stabilitet dhe orientim – të Gjelbrit dhe ÖVP janë dakord për këtë. Ai falënderoi ÖVP për marrjen shumë shpejt të “vendimeve që sigurisht nuk ishin të lehta”. “Dhe do të doja të deklaroja shprehimisht se e pranoj hapin e Sebastian Kurz-it dhe se ai gjithashtu meriton respektin e nevojshëm. As kjo sigurisht nuk është e lehtë”./DW
Fraksion.com