AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj – Qeverisë: Sqaroni para opinionit nëse aksioni nuk është kryer për qëllime elektorale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se “aksionet në Veri të Kosovës mund të jenë kryer për qëllime elektorale”.

Për këtë – ai ka kërkuar sqarim nga Qeveria e Kosovës.

“Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit”.

“Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook,

“Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale”.

Ndërsa, për sa i përket aksionit të sotëm, Haradinaj shtoi se askush nuk duhet të ngre dorë ndaj policit të Kosovës.

“Secili që sulmon policinë e Kosovës dhe e prish rendin publik, duhet ta marrë dënimin e merituar”.

Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave. Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut. “Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhet mëej në njoftimin e Policisë.

Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit. Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga ana e tij ka thirrur mbledhje të jasëhtëzakonshme me kryetarët e komunave të Kosovës me shumicë serbe.  Për këtë ai është nisur për në bazën ushtarake të Rashkës.

Sipas mediave në Beograd, takimi është thirrur për shkak të situatës dramatike që mbizotëroi të mërkurën në Veriun e Kosovës. Aksionin e sotëm e ka cilësuar si “provokim”, drejtori i së ashtuquajturës zyre për Kosovën, Petar Petkoviq. Madje, ky i fundit ka akuzuar Albin Kurtin që “po e përdor veriun për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”.

 

Fraksion.com