Ahmetaj: Në 25 nëntor nis shpërndarja e banesave për familjet e prekura nga tërmeti
Zv. kryeministri Arben Ahmetaj bëri të ditur sot se, Këshilli i Ministrave ka miratuar tri vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me Rindërtimin.
Në deklaratën për medien, Ahmetaj tha se “vendimi parë ka të bëjë me adresimin e fondeve për Bashkinë e Tiranës për përshpejtimin e Rindërtimit në zonën “5 Maji”, në “Kombinat” si dhe për infrastrukturën publike”.
Një vendim tjetër ka të bëjë hapjen e rrugës së shpronësimit me shkëmbim në Bashkinë e Vorës në funksion të procesit të rindërtimit.
Ai solli në vëmendje mënyrën sesi do të shpërndahen njësitë individuale dhe apartamentet në 11 bashki të vendit pas rindërtimit nga tërmeti.
“Nga data 25 nëntor i këtij viti nis shpërndarja e njësive individuale dhe apartamenteve për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Kjo është faza e parë e këtij procesi”, tha Ahmetaj, teksa bëri me dije mënyrën se si do të kryhet shpërndarja e tyre.
“Në vendim është përshkruar qartë mënyra transparente e shpërndarjes së apartamenteve. Që do të nisë nga familjet me ndihmë ekonomike, nëna të vetmuara, të moshuar të vetmuar, për pjesën tjetër do të veprohet me short publik transparent, që do zhvillohen nga njësitë vendore. Qytetarët do jenë përballë shortit publik, familjet do jenë përballë një procesi transparent, që mos ketë pikëpyetje. Brenda procesit të rindërtimit po ndërtohen 167 shkolla, duke përfshirë dhe ato që po bëhen nga donatorët” u shpreh Ahmetaj.
Fraksion.com