AktualitetKosovaTë fundit

Sveçla lëshon sallën e komisionit parlamentar pa nisur raportimin

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, e ka lëshuar të martën sallën e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, pak pasi ka hyrë në të, pasi kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, ka kërkuar që Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, të raportonin ndaras para Komisionit.

Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se mbledhja e 12 tetorit është thirrur për të raportuar rreth operacionit në veri të Kosovës ditë më parë, kur Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë masën e reciprocitetet për targat e makinave të regjistruara në Serbi.

Ai ka pretenduar se ministri Sveçla ka kryer shkelje në menaxhim të situatës në veri të Kosovës.

Pas Sveçlës sallën e kanë lëshuar edhe disa anëtarë tjerë të Komisionit.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – kanë qenë të bllokuara nga banorët lokalë që e kundërshtonin vendimin për reciprocitet.

Atje më pas ishin vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Por, përmes një marrëveshjeje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 30 shtator, palët janë pajtuar për shtensionim të situatës në veri dhe heqje të barrikadave të serbëve lokalë, ashtu si edhe të njësiteve speciale.

Palët po ashtu janë pajtuar që përkohësisht të vendosin letra ngjitëse në targat e makinave kur kalojnë në shtetin tjetër, derisa një grup punues të arrijë te një zgjidhje e përhershme./rel

 

Fraksion.com