AktualitetPolitikëTë fundit

“Shkarkimi i Nokës”; Spaho: Po të mblidhet litari o i mjerë! Kadilli: Opozita po degradon e zvogëlohet çdo ditë

Deputeti demokrat, Edmond Spaho, i cili është rreshtuar krah Sali Berishës, ka ironizuar vendimin e Lulzim Basha për shkarkimin e Flamur Nokës si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe madje e ka paralajmëruar se do ta përjashtojë edhe nga Grupi Parlamentar nëse vijon ende me shpifjet ndaj kryedemokratit.  Spaho shkruan se Basha po sillet si diktatori Enver Hoxha, ku pas dëbimeve duhet të fillojë me internimet. Për Spahon, Bashës po i mblidhe litari dhe po kthehet në një person qesharak dhe i mjerë.

“Lul mjaft me debime, fillo internimet tani. Bjeru deputeteve si ne 45. Po ndonje pushkatim nuk do bejme? Nuk e ben dot Enverin ti. I pari ishte historik, i dyti qesharak dhe i mjere. Po te mblidhet litari, Lul, po te mblidhet”, shkruan Spaho në facebook.

Edhe demokrati Fatbardh Kadilli e ka dënuar këtë veprim të Bashës duke thënë se ky model tregon degradimin e opozitës e cila po zvogëlohet çdo ditë edhe më shumë. Kadilli u bën thirrje demokratëve të reagojë ndaj këtij modeli ku ‘Kryetarokrati’ Basha emëron dhe shkarkon sipas dëshirës.

“Shkarkimi i z. Noka një dëshmi tjetër e traditës së shëmtuar të përjashtimeve.  Opozita zvogëlohet edhe me shumë nga përjashtimi. Një dëshmi e re e kryetarokracisë. Basha e emëroi Kryesinë e grupit dhe gati dy të tretat e Kryesisë si një kryetarokrat dhe e shkarkon po si kryetarokrat. Demokratët duhet të reagojnë kundër modelit jo rastit personal. Basha veproi si Kryetarokrat jo vetëm kur shkarkoi, por edhe kur emëroi. Përplasja me akuza të ndërsjellta me etiketime “llum” apo “peng” tregon degradim. Kë të besojnë demokratët? Ata meritojnë më shumë nga Kryetari dhe nga ish Kryetari. Kjo klimë përplasjesh dhe përjashtimesh tregon degradim. Idetë dhe propozimet e Manifestit “për një parti më e madhe se kryetari” janë përgjigjja për të dalë nga kjo gjendje si një parti e pastër, e hapur, e bashkuar, fituese”, shkruan Kadilli në facebook.

Flamur Noka u shkarkua dje nga Partia Demokratike nga Komisioni i Sigurisë me arsyet se ka shpifur dhe baltosur emrin e kryetarit.

Vendimi erdhi disa orë pas debateve të forta që bëri Flamur Noka me Lulzim Bashën në mbledhjen e Kryesisë së Grupit, ku akuzoi kryedemokratin se ka më të shtrenjtë fatin e karriges së tij se sa të PD-së. Gjithashtu Noka tha se Basha e cilësoi anëtarësinë dhe elektoratin e PD_së ‘llum’, deklaratë që ‘vuri vulën’ dhe solli reagimin e  Bashës duke e shkarkuar nga Komisioni i Sigurisë.

 

Fraksion.com