Përkthyesi që ndihmoi Bidenin, largohet nga Afganistani
Një përkthyes afgan, i cili ka ndihmuar senatorin e atëhershëm amerikan, Joe Biden, të dalë nga një stuhi bore në Afganistan, ka arritur të largohet nga ky vend, së bashku me familjen e tij.
Në vitin 2008, stuhia e borës ka detyruar helikopterin ushtarak që transportonte Bidenin – tani president i SHBA-së – dhe ligjvënës të tjerë amerikanë, të uleshin në një luginë, ku ishin në rrezik nga sulmet.
Aman Khalili ka qenë në mesin e punonjësve afganë të Qeverisë amerikane që e kanë çuar grupin në një rajon të sigurt.
Qysh në muajin gusht, kur talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit, Khalili ka kërkuar ndihmë për t’u larguar.
Ai tani u është bashkuar mijëra afganëve që kanë ikur nga vendi i tyre, për të mos jetuar nën regjimin taliban.
Një përfaqësues i Departamentit amerikan të Shtetit konfirmoi për BBC-në se Khalili dhe familja e tij “janë larguar në mënyrë të sigurt nga Afganistani”, me “angazhimin dhe mbështetjen e SHBA-së”./REL
Fraksion.com