Sherr në prani të nxënësve: Plagosen 4 persona me sende të forta; Qëllohet edhe me armë zjarri në ajër
Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sherri i cili fillimisht ka nisur në ambientet e brendshme të një lokali pranë shkollës Çajupi në Tiranë, me sende të forta, ndërsa e gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të nxënësve, të cilët prisnin të hynin në shkollë.
Sipas informacioneve paraprake bëhet me dije se njeri prej personave të përfshirë në konflikt ka qëlluar edhe me armë zjarri, duke rrezikuar edhe nxënësit dhe kalimtarët, por fatmirësisht nuk është raportuar asnjë i plagosur nga të shtënat.
Në rrugën “Kongresi i Manastirit” ku u zhvillua ngjarja rastësisht ishte dhe një polic, i cili është përpjekur të neutralizoi situatën duke nxjerr edhe armën e zjarrit, të cilën nuk e përdori.
Nga fotot e siguruara nga Report Tv, në rrugë shihet ende gjak, 2 maska anti-COVID, një kapele dhe një pistolet tip T-T.
Sipas informacioneve paraprake policia ka shoqëruar dy persona të përfshirë në konflikt, për shkaqe që nuk janë zbardhur ende. Numri total i banorëve të përfshirë në ngjarje nuk dihet ende, ndërsa Policia ka nisur hetimet.
Fraksion.com