SportTë fundit

Ndeshja nesër me Poloninë; Cikalleshi pozitiv me Covid 19

Lajm i keq për kombëtaren shqiptare, 24 orë para ndeshjes vendimtare me polakët në “Air Albania”. Goleadori i kuqezinjve në këtë fushatë eliminatoresh, ai që shënoi golin e nderit në sfidën e parë me Poloninë, ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Për pasojë, është futur në izolim, sikurse e kërkojnë rregullat e pandemisë. Fjala është për Sokol Cikalleshin, “pykën” e sulmit tonë, i cili ka bërë paraqitje mjaft të mira në këtë fushatë eliminatoresh për “Katar 2022”.

Kësisoji, pas futbollistit Erjon Hoxhallari dhe fizioterapistit të kombëtares, Arzen Voci, që dolën me koronavrirus qysh ditën e parë të grumbullimit për dy ndeshjet e tetorit, edhe Cikalleshi infektohet me virusin e rrezikshëm.

Ai do të mungojë nesër ndaj polakëve, një humbje e madhe për trajnerin Edy Reja. Tashmë, në dispozicion të kombëtares sonë janë vetëm 3 sulmues: Uzuni, Broja dhe Manaj. Mbetet të shihet si do të veprojë trajneri veteran italian, që gjithmonë e ka nisur me Cikalleshin titullar, plus një partner tjetër të kavajasit.

Shkon në dy numri i mungesave mjaft të rëndësishme ndaj Polonisë. Pas Gjimshitit, që sot operoi parakrahun, edhe Cikalleshi nuk mund të luajë nesër mbrëma.

 

Fraksion.com