“Ka bashkëshorten xheloze”; Lorik Cana s’hyn në Big Brother
Para fillimit të Big Brother VIP Albania, të martën e kaluar, një nga emrat që përflitej në media si një nga banorët që pritej të hynte në shtëpinë e famshme, ishte edhe Lorik Cana.
Mirëpo, ai nuk ishte një prej kokurrentëve. Megjithatë në shtëpi hyri një Cana tjetër, Graniti, i cili është kushëriri i parë i Lorikut.
Ndërkohë, ai i ka marrë pjesë te videoklipi i këngës “Johnny” të këngëtares Tayna, por kanë nisur pyetjet se ndërkohë që pritej të hynte në shtëpi Loriku, pse hyri Graniti?
Burime për “Panorama Plus” kanë treguar se Loriku nuk ka mundur dot të hyjë për shkak të xhelozisë së gruas italiane dhe kështu ka sugjeruar një Canë tjetër, po futbollist dhe model si ai, por ndryshe nga Loriku më i ri në moshë dhe beqar.
Ai sugjeroi pikërisht kushëririn e tij për këtë format, që sigurisht nuk ka famën e Lorikut, por që me hyrjen në “BBVIP”, do ta ketë patjetër. Përgjatë orëve të fundit të fillimit të show-t kudo në rrjet u përfol se ftesa për të qenë pjesë e “Big Brother VIP” i është dërguar ish-kapitenit të Kombëtares, Lorik Canës.
I kontaktuar nga mediat, Cana tregoi se nuk do t’i bashkohej këtij reality show më 5 tetor. Pak kohë më parë, detaje rreth lidhjes së fortë me bashkëshorten u treguan pas një postimi që ai bëri në “Instagram”.
Ish-kapiteni i skuadrës kombëtare të Shqipërisë, Lorik Cana, zgjodhi ngjyrat perfekte për të tërhequr vëmendjen dhe si asnjëherë tjetër trembi ndjekësit e tij me një deklaratë aspak të zakontë për një burrë të martuar në vitin e shtatë të martesës.
“Dua të ndaj diçka speciale me ju sot. Pashë ish-in tim pas më shumë se 10 vitesh. E di sa e vështirë është ta them, mbase edhe e gabuar, por shumë kujtime dhe pasion më kthyen pas në kohë. Ajo është akoma shumë tërheqëse dhe një bukuroshe e vërtetë. Madje, ka akoma një tatuazh me emrin tim. Shpresoj të të shoh një ditë. Më mungon!”, shkruante Loriku.
Por kjo deklaratë u prit jo mirë nga bashkëshortja e tij italiane, Monica Ercoli. Kështu nuk vonoi shumë, dhe si për të zbutur atë që tha, Loriku bëri një postim tjetër, por, për hir të së vërtetës, jo shumë ndjekës e besuan. Dhe kur të gjithë pritën të shihnin në story-n pasardhës ndonjë reagim të Monikës apo çfarëdo gjëje, Loriku na tregoi se ish-e dashura ishte makina e tij e vjetër.
Sipas komentuesve, për këtë postim të dytë Loriku bëri një gjetje të shpejtë, për të shpëtuar nga kërkesa e llogarisë që i bëri bashkëshortja, Monica, e cila, sipas komentuesve, ishte revoltuar jo pak.
Kujtojmë që Lorik Cana i dha fund beqarisë plot shtatë vite më parë me Monica Ercolin. Në atë ditë speciale për çiftin, para një viti Monica zgjodhi të ndante me ndjekësit momentet më të bukura të ceremonisë me anë të disa videove në ‘Instastory’.
Që nga momenti i altarit ku Monicën e shoqëronte i ati e deri te festa deri në orët e para të mëngjesit, Ercoli solli një nga panoramat më të bukura të ditës së saj më të veçantë. Kujtojmë se momentalisht, Loriku dhe Monica janë prindër të dy fëmijëve, djalit të madh të quajtur Boiken dhe vajzës së vogël, Enkeleida.
Që nga ai moment, Loriku ka shijuar prindërimin mes Shqipërisë dhe Italisë. Ndërkohë që u shpall babai më seksi nga mediat online, kujtojmë që me fotot e publikuara 12 vite më parë, do të mendonim se Lorik Cana ishte më shumë një model dhe jo futbollist.
E ndonëse koha kalon, ishkapiteni i skuadrës së futbollit të Shqipërisë, Lorik Cana vazhdon të mbetet një nga djemtë më simpatikë të “showbiz”-it shqiptar. Loriku u kthye mbi një dekadë pas në kohë dhe publikoi para tre vitesh një foto të tij bardhezi, të shkrepur nga fotografi i njohur shqiptar, Fadil Berisha.
“2009, fotografuar nga më i miri”, shkruante Cana krah fotos, ku nuk munguan pëlqimet e shumta nga ndjekësit e tij, për shkak të tipareve mjaft tërheqëse. Edhe sot, Loriku vazhdon të mbetet ndër meshkujt më simpatikë shqiptarë dhe këtë fakt e kanë provuar herë pas here të gjithë ndjekësit e tij.
Ndërkaq jeta dhe karriera e Lorik Canës u realizua si film autobiografik për publikun shqiptar. Lajmin e dha ish-kapiteni i Shqipërisë në një postim në “Instagram” në 2018-tën, ku zbulonte se filmi do të shfaqej në kinema, në datën 5 dhjetor të atij viti.
“Ky është posteri zyrtar i filmit ‘Lorik’, një film i realizuar me shumë dashuri mbi rrugëtimin tim, nga miku im Andi Deçka që më bindi para 2 vitesh rreth këtij projekti… Nuk ka qenë e lehtë, por besoj ia ke dalë Andi me gjithë partnerët që të kanë mbështetur. Transmetimi i parë, 5 dhjetor!”, shkruante ai.
“LORIK” filmi dokumentar, që mban emrin e tij, është një histori e treguar nga ai dhe njerëzit më të afërt, të cilët rrëfyen sekrete për karrierën dhe jetën private të kapitenit Cana. Dihet që një prej futbollistëve më të mirë në historinë e futbollit shqiptar, Lorik Cana, ka shumëçka për të treguar.
Dhe, dritëhijet mbi jetën dhe karrierën e tij po vijnë në filmin dokumentar të realizuar nga Andi Deçka. Prej futbollistëve në dokumentar marrin pjesë Djibril Cisse, sulmuesi i njohur që ka luajtur me Lorik Canën dhe ish-futbollisti Gheorge Hagi e Pape Diouf. Por në dokumentar marrin pjesë edhe familjarët e një prej personaliteteve më të shquara, pikërisht babai i tij, Agim Cana, që ka ndikuar shumë në karrierën e të birit, si dhe bashkëshortja italiane, Monica Cana.
Monica rrëfeu pikët e forta dhe të dobëta të Lorikut si burrë dhe familjar. Ndërkohë që pasi përfundoi filmi, Loriku ishte shprehur shumë entuziast. Ky dokumentar u realizua në 35-vjetorin e tij, pasi kishte lënë karrierën futbollistike dhe është vendosur të jetojë familjarisht në Tiranë, ku është dhe komentator kryesor i një emisioni për sportin në Shqipëri.
Fraksion.com