Simfonia e 10-të e Beethovenit përfundohet nga inteligjenca artificiale
Me ndihmën e algoritmeve studiuesit kanë arritur të kompozojnë deri në fund simfoninë e 10-të të Beethovenit. Janë programet kompjuterike aq kreativë sa gjenitë e muzikës?
Mësuam stilin e Beethovenit
Inteligjenca artificiale u furnizua me skica e shënime të Beethovenit si edhe partitura të kompozitorëve të kohës. “Këtë duhet ta kuptosh kështu, që Beethoveni në momentin që kishte ide të reja mbante shënime. Disa herë si fjalë, disa herë si nota muzikore”, thotë Matthias Röder, drejtor i Institutit Karajan në Salcburg. Duke u nisur nga ky material, drejtuesi i projektit me ekipin e tij bënë supozime, se “si do t’i kishte zhvilluar ai vetë gjëra të caktuara”, thotë Röder. Muzika bazohet në njësi të caktuara si gjuha. Prandaj bëhet fjalë fillimisht që inteligjenca artificiale të mësonte. Simfonitë, sonatat në piano, kuartetet në violinë iu ofruan inteligjencës artificiale rregullisht për “ta trajnuar”, Si në trurin e njeriut që ka rrjetin neuronal, kompjuteri është në gjendje të krijojë vetë lidhje të reja. Rezultatet që përshtateshin më mirë me njëra-tjetrën u rifutën në sismtem duke iu dhënë nota të reja.
Njeriu dhe makineria plotësojnë njëri-tjetrin
Kështu u krijua kompozimi i ri artificial. “Ajo që na lejon inteligjenca artificiale është mundësia e ofrimit të një sekuence në 20 apo 100 variante të ndryshme. Kjo është e mrekullueshme, sepse nëse është punuar mirë me algoritmin, atëherë çdo tentativë bën sens”, thotë Robert Levin, studiues i muzikës nga Universiteti Harvard.
Për studiuesit bashkëpunime të tilla janë mjaft interesante, sepse ato japin të dhëna si makineritë mund të mbështesin njeriun, ose të imitojnë kapacitetin kreativ. “Ne u përpoqëm të kuptonim se cila është gjendja e teknikës në zhvillimin e muzikës dhe jemi përpjekur të testojmë kufijtë. Në fund përdorëm disa module të të ashtuquajturit Natural Language Processing, që janë frymëzuar nga përpunimi natyror i gjuhës”, thotë Ahmed Elgammal, drejtor i i Art&Art Lab të Universitetit Rutgers në Nju Jork dhe zhvillues i inteligjencës artificiale të Beethovenit. Por e kanë vlerë projekte të tilla për muzikantët?
“Mund të thuhet se kompjuteri vepron në bazë të algoritmit. Po, por njeriu e bën në bazë të përvojës dhe arsimimit. Ata nuk janë patjetër shumë larg njëri-tjetrit”, thotë profesori Levin.
Se sa ndjehet kalimi nga origjinali tek kompozimi i inteligjencës artificiale, këtë publiku mund ta kuptojë kur të ndjekë simfoninë e luajtur nga orkestra e Bonnit nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm muzikor të saj, Dirk Kaftan./DW
Fraksion.com