AktualitetBota+Të fundit

SHBA do të zhvillojë bisedimet e para të drejtpërdrejta me talebanët pas largimit nga Afganistani

Zyrtarë të lartë amerikanë do të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta, duke filluar nga e shtuna, me përfaqësuesit e talibanëve në pushtet në Afganistan, për herë të parë që nga tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga ai vend.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se delegacioni amerikan do të takohet të shtunën dhe të dielën në Doha të Katarit, me përfaqësues të lartë talebanë.

Agjencia e lajmeve Reuters, e cila raportoi së pari për bisedimet, tha se delegacioni amerikan do të përfshijë zyrtarë nga Departamenti i Shtetit, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe agjencitë amerikane të zbulimit.

Delegacioni amerikan do të ushtrojnë trysni mbi talebanët për të siguruar kalimin e sigurt nga Afganistani për qytetarët amerikanë, si dhe aleatët afganë.

Delegacioni amerikan gjithashtu thuhet se do t’i mbajë talebanët përgjegjës për angazhimin e tyre për të mos u bërë strehë për al-Kaidën apo terroristët e tjerë dhe të përmirësojnë qasjen për ndihma, ndërsa Afganistani përballet me një krizë humanitare në rritje dhe një krizë ekonomike.

Një zëdhënës i talebanëve tha se në bisedime gjithashtu do të rishqyrtohet marrëveshja e paqes që talebanët nënshkruan me Uashingtonin në vitin 2020, e cila hapi rrugën për tërheqjen përfundimtare të Shteteve të Bashkuara.

Që kur talebanët morën pushtetin, ekstremistët e Shtetit Islamik kanë shtuar sulmet ndaj grupit militant, si dhe pakicave etnike dhe fetare. Të premten, një sulmues vetëvrasës i ISIS-it vrau të paktën 46 myslimanë të sektit shiitë dhe plagosi dhjetëra të tjerë në sulmin më të përgjakshëm që nga largimi i Shteteve të Bashkuara./VOA

 

Fraksion.com