Mbledhja e jashtëzakonshme; Rama: Çmimin e përcakton raporti kërkesë-ofertë, jo shteti
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “çmimin e mallrave në treg e përcakton raporti kërkesë-ofertë, jo shteti”.
Kryeministri Rama zgjodhi sot t’i përgjigjej pyetjeve të disa qytetarëve mbi rritjen marramendëse të çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, si edhe mbi çmimet në tërësi.
Duke iu përgjigjur një qytetareje, Rama tha se “30 vjet më parë ne kemi zgjedhur lirinë kapitaliste të tregut në vend të ekonomisë komuniste të centralizuar nga shteti dhe çmimin e mallrave në treg e përcakton raporti kërkesë-ofertë, jo shteti”.
Konstatimit të një qytetari tjetër, sipas së cilit “ne e prodhojmë në vend energjinë elektrike dhe nuk e blejmë në bursë, kështu që edhe çmimin mund ta vendosim vetë”, Rama iu përgjigj duke sqaruar se “ne prodhojme kur kemi rreshje të mjaftueshme për mbushjen e hidrocentraleve dhe blejmë kur ka thatësirë, aq më tepër në kushtet kur periudhat e thatësirës janë bërë më të gjata vitet e fundit si pasojë e ndryshimeve klimatike”.
Prandaj, tha Kryeministri, jemi të varur njësoj si gjithë të tjerët nga çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar.
“Çmimet e bursës së energjisë në tregun ndërkombetar, ku ne blejmë energji, nuk kanë lidhje me dallimet në rroga mes Spanjës, Gjermanisë apo Shqipërisë dhe ne nuk kemi bërë ndonjë krahasim të fuqisë blerëse, por kemi informuar mbi influencën e çmimeve të energjisë elektrike në të gjithë bursat ndërkombëtare në këtë krizë që ka prekur fuqishëm vendet dhe konsumatorët e tyre”, tha Rama.
Rama tha se “për sa kohë flasim për mallra që i blejmë në tregun ndërkombëtar, siç janë në këtë rast energjia apo nafta, çmimet janë njësoj si për Spanjën edhe për Shqipërinë”.
“Vendi ynë nuk e prodhon në vend të gjithë energjinë që konsumon, por vetëm një pjesë të saj, prandaj Shqipëria preket detyrimisht nga kriza energjitike përderisa del në tregjet ndërkombëtare dhe blen energji nga jashtë, e cila është e gjitha e lidhur me bursën dhe çmimi i energjisë në bursë është një për të gjithë”, iu përgjigj Rama një tjetër qytetareje.
Po ashtu, Kryeministri iu përgjigj edhe një qytetari i cili pretendon se, “në një vit Shqipëria prodhon rreth 1.5 milionë ton naftë dhe konsumon rreth 0.6 milionë ton”.
Rama tha se “Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës që konsumon së pari. Së dyti, nafta që prodhon Shqipëria është naftë e rëndë, e cila shkon kryesisht në tregun ndërkombëtar kryesisht për nënprodukte, për përdorim industrial si bitumi. Ndërkohë rreth 600 000 ton që konsumohen në formën e gazoilit dhe të benzinës, janë nënprodukte që vijnë nga importi. Së treti, si kudo në botën demokratike të tregut të lire, nafta edhe në Shqipëri gjenerohet dhe tregtohet nga subjektet private, jo nga shteti. Subjektet që e tregtojnë naftën e blejnë ate sipas çmimeve të bursës në tregjet ndërkombëtare”, tha Rama.
Po ashtu, Rama sqaroi se “ne prodhojmë vetë vetëm një pjesë të energjisë që konsumojmë dhe kjo na ndihmon që çmimin e energjisë ta kemi çmim të rregulluar, e jo çmim të liberalizuar siç janë çmimet e tjera që varen tërësisht nga tregu i lirë”.
“Duhet pasur mirë parasysh këtu se edhe sot që flasim, çmimi i energjisë për familjarët është një çmim nën koston reale, falë subvencionimit nga shteti për të mbrojtur konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Por e njëjta gjë vlen sot për sot edhe për biznesin e madh”, shtoi Rama.
Rama sqaroi se “Shqipëria e ka të bazuar prodhimin energjetik 100% në hidrocentrale, me varësi totale nga rreshjet”.
“Prodhojmë më shumë në stinët apo vitet e lagështa, kur i gjithë rajoni i ka këto kushte atmosferike dhe e shesim energjinë e tepërt lire, sepse përndryshe i bie të hapim dyert e kaskadës e të përmbysim dynjanë rregullisht. Ndërkohë që në stinët e thata kur konsumi rritet, blejmë energji nga jashtë me çmime të larta të diktuara nga kërkesa momentale e tregut. Duhet futur mirë në mendje, prodhimi vendor nuk i përmbush kërkesat e Shqipërisë, se po t’i përmbushte nuk do kishim pse shqetësoheshim fare nga kjo krizë e madhe. Ndërsa çmimet e shitjes e të blerjes së energjisë i vendos tregu ndërkombëtar, jo shteti shqiptar dhe pse çmimet e blerjes më shtrenjtë dhe të shitjes më lirë është fare e thjeshtë”, tha Rama.
Kryeministri ripërsëriti se “ne shesim energji kur ka rreshje përtej nevojës sonë dhe kjo ndodh kur tregu ndërkombëtar ka më pak nevojë, ndërsa kur ne e blejmë energjinë për shkak të thatësirës nevoja është në kulm dhe çmimi është shumë më i lartë”.
“Prandaj po e ndërtojmë Skavicën, që të kemi mundësinë e krijimit të rezervave dhe që ta përdorim rezervën kur prodhimi bie për shkak të thatësirës, pa pasur nevojë të dalim në tregun e jashtëm. Prandaj do e konvertojmë TEC-in e Vlorës me gaz të lëngshëm, që teknikisht të kemi në vend një burim energjetik që mund të jetë i planifikueshëm dhe jo i varur nga Zoti”, tha Rama.
I pyetur për rritjen ekonomike, Rama tha se “është e vërtetë se kemi 18% rritje në tremujorin e dytë, më e larta në rajon, si rezultat i një ringritjeje të fuqishme pas rënies dramatike nga pandemia”.
“Por, nëse komenti yt supozon ironikisht se meqë u rrit vërtetë ekonomia, atëherë duhet të rriteshin automatikisht rrogat e pensionet, përgjigja është jo, kjo nuk funksionon kështu, sepse kjo rritje do të thotë se ekonomia po ringrihet me shpejtësi pas rrëzimit, e jo po ngjitet 18% më lart sesa ç’ishte para se të rrëzoheshim”, sqaroi Rama.
Pyetjes së një qytetari se përse në 30 vite demokraci nuk është bërë asnjë hidrocentral ose termocentral, Rama tha se “ne e morëm sektorin e energjisë jo në gropë, po në humnerë dhe e ngritëm atë në këmbë”.
“Unë dal përpara popullit dhe ju shikoj të tërë drejt e në sy, sepse ne kemi bërë në këto vite atë që po të ishte bërë me kohë e me vakt, sot do të kishim halle të tjera se hallet nuk mbarojnë kurrë, por ama jo këto halle që kemi. Ne e morëm sektorin e energjisë jo në gropë, po në humnerë dhe pasi e ngritëm atë në këmbë, sot po investojmë për ta ngjitur më lart, duke u investuar në burime të reja energjie, nga uji, dielli dhe era, po edhe nga gazi i lëngshëm për futjen e të cilit në Shqipëri, po bashkëpunojmë me qeverinë amerikane”, tha Rama.
Pyetjes se përse qeveria nuk rrit rrogat, Rama iu përgjigj se “sikur rrogat të ngriheshin me sustë e jo me punë të mundimshme dhe me durim, atëherë vende të pasura si Gjermania apo Franca do t’i kishin bërë nga 20 mijë euro për person ose të tjerët rreth nesh, në rajon, do t’i kishin çuar sa në Europë”.
“Por ja që rrogat nuk rriten sipas dëshirës, po sipas rritjes së kapaciteteve ekonomike të vendit dhe ne i kemi rritur e do të vazhdojmë t’i rrisim ato, paralelisht me rritjen e këtyre kapaciteteve. Ndërsa, krahasimi me vendet e tjera në rastin e energjisë, vlen sepse si Spanja, si Italia e po njësoj edhe Shqipëria, energjinë e blejnë me të njëjtin çmim që ka në bursën ndërkombëtare, e cila nuk pyet sa i kanë rrogat atje apo këtu. Ne nuk mund të ndryshojmë çmimin e energjisë, po sigurisht mundet e do të mbrojmë konsumatorin familjar nga rritja e papërballueshme e tij, sepse energjinë e blen dhe e shet shteti tek familjet. Ky është ndryshimi me çmimet e tjera, ato nuk i vendos qeveria, po i vendos tregu, kërkesa dhe oferta, vetëm në dikaturat komuniste çmimet i vendos qeveria”, shtoi Rama.
Kryeministri tha se “shumica e forcave të afta për punë në Shqipëri janë në punë, ndërsa familjet në ndihmë ekonomike ne kemi kohë që i mbështesim tek fatura e energjisë dhe të gjitha familjet do të bëjmë çmos t’i mbrojmë nga kjo krizë e re globale”.
Fraksion.com