Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përpos BE-së
Reagime të zyrtarëve të lartë të RMV-së dhe të opozitës Maqedonase pas përfundimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Brdo.
“Na duhet një nxitje e re, të shpejtohen proceset për sjelljen e vendimeve, sepse bllokadat do të vazhdojnë dhe do të motivohen forcat retrograde të cilat i kundërvihen vlerave dhe zgjerimit të BE”, ka theksuar kryeministri Zaev.
Maqedonia e Veriut është e gatshme të vazhdojë në rrugëtimin e proceseve dhe të reformave që kërkohen nga BE.
“Në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore europiane, ne do t’i intensifikojmë bisedimet me fqinjin tonë Bullgarinë dhe seriozisht do të ndërrmarim hapa në këtë drejtim për zgjidhjen dhe mbylljen e gjitha çështjeve. Ne edhe deri tani kemi treguar gatishmëri dhe konstruktivitet në zgjidhjen e çështjeve bilaterale por çështjet me identitetin janë thjesht të pamundëshme të diskutohen-” – tha Zaev.
Edhe ideja e udhërrëfyesit “5 plus 1 pyetje” që është shpalosur në Brdo për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë nuk është çështje e papranueshme për RMV-në tha Zaev. Ky udhërrëfyes duhet të përgatitet deri në muajin nëntor.
Osmani: Nuk ka dilema se ku dëshirojmë të arrijmë
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se diplomacia nuk është garë 100 metra, por maratonë. Maratonë ku dalin pengesa. Por njëherësh ai nuk i arsyeton pengesat për qartësimin e procesit integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Sipas ministrit Osmani, Maqedonia e Veriut nuk ka dilemma se ku dëshiron të arrijë. Qëllimi ynë është i paalternativë se ne duhet të gjejmë zgjidhje për t’i tejkaluar gjitha pengesat drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian.
“Qëllimi ynë është aq i madh sa që arsyeton pritjen, durimin, përkushtimin tonë për t’u bërë pjesë e BE-së, për shkak se ne nuk kemi alternative tjetër ” – tha Osmani.
Sa i përket kërkesës së Sofjes për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e RMV-së, Osmani ka thënë se kjo nuk është në kundërshtim me interesat e Shkupit.
Opozita maqedonase kundër kërkesave të reja të Bullgarisë
Hristijan Mickovski, kryetari i VMRO-DPMNE-së, partisë më të madhe opozitare në vend, është kundër kërkesave të reja të Bullgarisë. Për futjen e pakicës bullgare në kushtetutën e RMV-së duhet të ndryshohet kushtetuta.VMRO-DPMNE nuk është e gatshme të votojë për ndryshimin e kushtetetutës.
“Ne nuk do të pranojmë ndryshimin e kushtetutës së RMV-së nëse nuk kemi reciprocitet edhe nga pala bullgare, respektivisht futjen e pakicës maqedonase në Bullgari si popull konstituiv në kuadër të kushtetutës së Bullgarisë”, deklaroi Hristian Mickovski./DW
Fraksion.com