Ish kryeprokurori Llalla shpallet në kërkim ndërkombëtar
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPAK) njoftoi sot se ka përfunduar procedurat e shpalljes në kërkim ndërkombëtar të ish prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Të gjitha të dhënat rreth tij, përfshirë dhe akuzën, i kalojnë Interpolit, i cili pritet ta përfshijë dhe atë mes mbi 770 të kërkuarve të tjerë.
Vendimi i sotëm i SPAK-ut, u mor pasi Policia shqiptare, njoftoi se brenda afatit dy javor që i njeh ligji, kishte dështuar të gjente vendndodhjen e zotit Llalla në Shqipëri. Burime të policisë, kanë shpjeguar se në bazë të sistemit TIMS, rregjistrit të hyrje daljeve nga vendi, rezulton që zoti Llalla të jetë larguar me një fluturim drejt Italisë, disa ditë përpara vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Më 22 shtator Gjykata e posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e marrë në Shkallën e parë, sipas të cilit ish Prokurori i Përgjithshëm dënohej me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, pasi u shpall fajtor nën akuzat për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Po ashtu atij do t’i konfiskohen edhe disa prona të vëna paraprakisht nën sekuestro 4 sipërfaqe toke, gjithsej 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Avokati i zotit Llalla deklaroi se ish kryeprokurori gjendej në regjim spitalor, por se ai nuk e dinte vendndodhjen e tij.
Fraksion.com