AktualitetLife StyleTë fundit

Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov fitojnë Çmimin Nobel për Paqe

Gazetarja nga Filipinet, Maria Ressa dhe gazetari rus Dmitry Muratov, janë fitues të çmimit Nobel për paqe për vitin 2021.

Kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, tha në një konferencë me gazetarë se “Zonja Ressa dhe zoti Muratov po marrin çmimin e Paqes për luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes në Filipine dhe në Rusi. Në të njëjtën kohë, ata janë përfaqësues të të gjithë gazetarëve që angazhohen për këtë ideal në një botë në të cilën demokracia dhe liria e shtypit përballen me kushte gjithnjë e më të pafavorshme”, shtoi ajo.

Çmimi i ndarë sot është i pari i ndarë për gazetarët, që kur gjermani Carl von Ossietzky e fitoi atë në vitin 1935, për zbulimin e programit të fshehtë të armatimit të pasluftës (së Parë Botërore) të vendit të tij.

Çmimi Nobel për Paqen, do të jepet më 10 dhjetor, që është përvjetori i vdekjes së industrialistit suedez Alfred Nobel, i cili themeloi çmimet në testamentin e tij të vitit 1895.

Një ditë më parë, Shkrimtari me origjinë nga Tanzania, Abdulrazak Gurnah fitoi çmimin Nobel në letërsi. Akademia suedeze e vlerësoi shkrimtarin për atë që e cilësoi “depërtim i pa kompromis dhe i dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit, në hendekun mes kulturave dhe kontinenteve”.

Me 6 tetor, shkencëtari gjerman Benjamin List dhe ai amerikan David MacMillan fituan çmimin Nobel në kimi për vitin 2021, për krijimin e mekanizmave të rinj, që bëjnë të mundur ndërtimin e molekulave që ndihmojnë, jo vetëm në prodhimin e ilaçeve të reja, por edhe që mbrojnë mjedisin”.

Ndërsa me 5 tetor, tre shkencëtarë, amerikani me origjinë japoneze Syukuro Manabe, gjermani Klaus Hasselmann dhe italiani Giorgio Parisi, fituan çmimin Nobel në fushën e fizikës për “kontributin e tyre në të kuptuarit e sistemeve komplekse fizike, siç është ndryshimi i klimës në tokë”.

Java e çmimeve Nobel, pritet të përmbyllet me atë për ekonominë.

 

Fraksion.com