DW: Polonia vazhdon kursin e konfrontimit me BE-në
Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese polake pjesë të së drejtës së BE-së janë të papajtueshme me kushtetutën e vendit. Vendimi mund të nxisë më tej mosmarrëveshjen midis Varshavës dhe Brukselit.
A është e mundur që ligji evropian të ketë përparësi mbi të drejtën kushtetuese polake? Gjykata Kushtetuese polake në Varshavë vendosi që pjesë të së drejtës së BE-së janë të papajtueshme me të drejtën kombëtare polake.
“Përpjekja e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për të ndërhyrë në sistemin gjyqësor polak shkel (…) rregullin e përparësisë së kushtetutës dhe rregullin që në procesin e integrimit evropian ruhet sovraniteti”, vendosën gjyqtarët në Varshavë.
Shtyrje disa herë e vendimit
Konkretisht çështja lidhej me pyetjen nëse dispozitat e traktateve të BE-së, me të cilat Komisioni i BE-sëjustifikon të drejtën e tij për të thënë një fjalë në çështjet e sundimit të ligjit, janë në përputhje me kushtetutën polake. Gjykata e kishte shtyrë vendimin për këtë çështje disa herë. Si arsye u tha në fund se ishin paraqitur aspekte të reja dhe gjykatës i duhet kohë për të formuluar pyetje në lidhje me to.
Kryeministri Mateusz Morawiecki i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Polonisë që të rishikonte një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) të 2 marsit 2021. Në vendim gjyqtarët kryesorë të BE-së konstatonin se ligji i BE-së mund t’i detyrojë shtetet anëtare të shpërfillin dispozita të caktuara të ligjislacionit kombëtar, edhe nëse është ligj kushtetues. Sipas GJED procedura për emërimet në Gjykatën Supreme në Poloni shkel ndoshta ligjin e BE.
Kjo do të nënkuptonte që GJED-ja mund ta detyrojë Poloninë të shfuqizojë pjesë të reformës së diskutueshme gjyqësore të qeverisë kombëtare-konservatore PiS. Për shkak të reformave Komisioni i BE-së ka nisur tashmë disa procedura kundër qeverisë së Varshavës dhe ka ngritur padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED).
Mungesë mirëkuptimi në BE
Komisioni i BE-së reagoi “i shqetësuar” ndaj gjykimit të Gjykatës Kushtetuese Polake. Brukseli do të përdorë “të gjitha mjetet” për të siguruar që ligji i BE-së të respektohet në Poloni, tha Komisioneri i Drejtësisë i BE-së, Didier Reynders. Parimi që ligji i BE-së ka përparësi mbi të drejtën kombëtare dhe karakteri detyrues i vendimeve të gjyqësorit të BE-së janë thelbësore për Bashkimin Evropian.
Fraksion.com