AktualitetPolitikëTë fundit

DASH ‘çon’ në Kongres Sali Berishën e familjen e tij, pas vendimit për ‘non grata’

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim publikoi sot raportin që Departamenti i Shtetit ka dërguar në Kongres në lidhje me personat e përcaktuar për korrupsion të rëndësishëm.

Në këtë listë në periudhën Prill 2021-Qershor 2021, përfshihet edhe ish-kryeministri Sali Berisha, bashkëshortja e tij, Liri Berisha, dhe fëmijët e tij, Shkëlzen Berisha dhe Argita Berisha Malltezi.

Në raportin për Kongresin për kufizimet e vizave antikleptokraci dhe të drejtat e njeriut për vitin fiskal 2021, sa i përket papërshtatshmërisë thuhet se, “zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e tyre të ngushtë të familjes për të cilët Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se janë përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në korrupsion të rëndësishëm, përfshirë korrupsionin në lidhje me nxjerrjen e burimeve natyrore ose një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut,  përfshirë ndalimin e gabuar të stafit të punësuar në vend të një misioni diplomatik të SHBA ose një qytetari ose shtetasi të SHBA, nuk do të ketë të drejtë për hyrje në SHBA.

Sekretari gjithashtu do të caktojë ose identifikojë publikisht ose privatisht zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e tyre të ngushtë të familjes për të cilët Sekretari ka informacione të tilla të besueshme pa marrë parasysh nëse individi ka aplikuar ose jo për vizë”, thuhet në raport” .

Sa i përket përjashtimit, në raport sqarohet se, “individët nuk do të jenë të papërshtatshëm për hyrje në SHBA sipas paragrafit (1) nëse një hyrje e tillë do të çonte më tej në objektivat e zbatimit të ligjit të SHBA ose është e nevojshme për të lejuar SHBA të përmbushin detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes së OKB: Me kusht që asgjë në paragrafin (1) të mos interpretohet si derogim nga detyrimet e qeverisë së SHBA sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të zbatueshme”.

Në raport theksohet gjithashtu se, “Sekretari mund të heqë dorë nga aplikimi i paragrafit (1) nëse Sekretari përcakton se heqja dorë do t’i shërbente një interesi kombëtar bindës ose se rrethanat të cilat e bëjnë individin të jetë i papranueshëm, kanë ndryshuar mjaftueshëm”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shpallur më 19 maj të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha dhe anëtarët e familjes së tij.

Blinken është shprehur se, aktet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri.

“Aktet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, është shprehur Blinken.

 

Fraksion.com