“Çmimi i naftës aty ku nuk mban”; Rama: Po si nuk mban më, kur paska mbajtur më shumë në 2013?
Kryeministri Edi Rama përsëriti për të disatën herë se çmimi i naftës është më i ulët se në 2013 në karburante. Në konferencën e sotme për mediat, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë dhe një ditë para prezantimit të planit të posaçëm për krizën energjetike, Rama tha se çmimin në benzinatë nuk e vendos shteti, e vendos tregu.
Sipas tij, nafta, diesel e benzina në 2013 kanë qenë më të shtrenjta, teksa tha se taksa e karbonit nuk do të lëvizë.
“Krahasimi im është shumë i thjeshtë. Sot ankesa na është rritur çmimi i naftës. Sot kush është kuja. ‘Çmimi i naftës ka shkuar aty ku nuk mban’. Po si nuk mban më, kur paska mbajtur më shumë në 2013. Unë flas për ujkun ti më tregon gjurmët. Unë them çmimi në benzinatë dhe çmimin në benzinatë nuk e vendos shteti. Atë e vendos tregu.
E kemi zgjedhur këtë sistem kur ju sa kishit lindur. Nuk e vendos shteti sa shitet nafta, molla, pjeshka. Këtu pyetja është meqë ankesa vjen si rezultat i një rritje të paparë, jo ka qenë më e lartë nafta se sa sot. E ka blerë yt atë më shumë se sa e blen sot. Është e pabesueshme, po të flas për çmimin e naftës. Ju rezulton që po them një të vërtetë, nafta, diesel e benzina në 2013 kanë qenë më të shtrenjta. Ishte bursa, nuk ishte bursa muhabet tjetër.
Megjithëse ne brenda çmimit të naftës kemi dy komponentë plus, komponentin e taksës së qarkullimit dhe taksë karboni, çmimi i naftës sot është më i ulët se sa ishte. Taksa e karbonit ishte aty dhe do rrijë aty. Ata pensionistët që iu qani hallin nuk janë ndotës të mjedisit dhe konsumatorë të ajrit që ata thithin për veten por nuk ndotin për të tjerët.
Kur flasim për mbështetjen për ta, vjen nga shiu. Mbështetja vjen nga kontributet, kështu që kush ndot më shumë, do kontribuojë më shumë. Çmimi është sot më pak se ç’ishte. Nuk kemi të bëjmë me një çmim të paparë, por më të lirë se ç’ishte. Të bëjmë krahasime faktuale që kanë lidhje me realitetin. Këtu flasim për një sektor totalisht privat. Thonë disa Shqipëria prodhon mjaftueshmërisht naftë, nuk e kuptoj ku jetojnë”, tha Rama.
Fraksion.com