Alt: Fjalët ngushëlluese të BE zhgënjejnë më tej Ballkanin
Pas samitit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor në Brdo, Slloveni, deputetja liberale gjermane, Renate Alt (FDP) raportuese e grupit parlamentar liberal për Europën Lindore e Juglindore reagon me kritika ndaj BE.
Deputetja e Bundestagut e FDP-së, Renate Alt, anëtare e Komisionit të Jashtëm të Bundestagut dhe raportuese e grupit parlamentar të liberalëve për Europën Lindore e Juglindore në një prononcim për Deutsche Wellen mban një qëndrim kritik ndaj rezultateve të samitit të BE-së e Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Brdo. “Që vendet e Ballkanit Perëndimor edhe më tej duhet të kënaqen me fjalë ngushëlluese çon në zhgënjim të mëtejshëm në rajon në lidhje me procesin e anëtarësimit. Me paketën e investimeve, BE nga njëra anë tregon, se do të angazhohet edhe më tej, por nuk do të përcaktojë një perspektivë të qartë europiane, për të mos folur për detyrimet konkrete që duhet të përmbushin këto vende.”
BE e dëmton kështu imazhin e saj me këtë dhe humb kështu besimin që i duhet në procesin e anëtarësimit, thekson deputetja liberale gjermane, Renate Alt. “Sidomos vendeve me vullnet për reforma si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ta kenë më të vështirë. Veçanërisht të rinjtë e arsimuar e të orientuar nga reformat po e lënë vendin që nga viti 2019 në masë dhe kërkojnë diku tjetër një perspektivë për të ardhmen”, kujton Alt, duke përmendur se ky është një zhvillim që BE po e nxit me hezitimin dhe mungesën e unitetit të saj.
Deputetja gjermane, Renate Alt kërkon që qeveria gjermane në detyrë dhe vende si Austria ta bindin Francën, se perspektiva e anëtarësimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimi i mëtejshëm i BE, nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. “Sigurisht kjo nuk i çliron nga përgjegjësia 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për të bërë përparime konkrete në fushën e shtetit ligjor, lirisë së mediave dhe luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Për BE ka rëndësi: Bëhet fjalë për influencën e saj në rajon, që po sfidohet nga vende si Kina dhe Rusia e Turqia, si edhe për stabilitetin e kontinentit europian”, shprehet Renate Alt mbi përfundimet e samitit të Brdos në prononcimin për Deutsche Wellen./DW
Fraksion.com