AktualitetBota+Të fundit

Ish-roja i kampit nazist del para gjykatës

Një ish-roje i një kampi të përqëndrimit nazist ka dalë para një gjykate gjermane nën akuzat për ndihmën në vrasjen e 3.518 të burgosurve të luftës.

Gjyqi po mbahet shtatëdhjetë e gjashtë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Josef S, 100 vjeç, akuzohet për vrasjet në një kamp afër Berlinit.

Aktakuza e ngarkon atë për bashkëpunim në të shtënat ndaj të burgosurve sovjetikë të luftës dhe vrasjen e të tjerëve me gaz Zyklon B. Ai është i pandehuri më i vjetër që është gjykuar deri më tani.

Dhjetë vjet më parë, dënimi i ish -rojes, John Demjanjuk, krijoi një precedent që u mundësonte prokurorëve të akuzonin njerëzit për ndihmë dhe përkrahje të krimeve naziste në Luftën e Dytë Botërore.

I pandehuri mbërriti në sallën e gjykatës në një karrige me rrota dhe mbante një çantë. Josef S ka jetuar në zonën e Brandenburgut për vite me radhë. Raportohet se ai ka punuar si zejtar dhe nuk ka folur publikisht për gjyqin. Avokati i tij, Stefan Waterkamp, i tha gjykatës se i pandehuri nuk do të komentonte para gjykatës akuzat kundër tij.

Holokausti është vrasja masive e rreth 6 milionë hebrenjve, vrasje kjo e organizuar nga partia naziste e liderit gjerman, Adolf Hitler, nga viti 1933 deri më 1945. Gati 7 nga çdo 10 hebrenj që ka jetuar në Evropë është vrarë gjatë kësaj kohe.

Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara.

Presidentët e Gjermanisë, Izraelit dhe Ukrainës përkujtuan të mërkurën vrasjen e 33.000 hebrenjve në Kiev të Ukrainës.

Kjo ishte një prej masakrave më të këqija të Holokaustit.

Duke folur në ceremoni, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se lufta kundër antisemitizmit “duhet të vazhdojë”.

“Më dhemb dhe më zemëron që antisemitizmi po forcohet përsëri në Gjermani”, tha ai.

President i Izraelit, Isaac Herzog, tha se bota duhet të sigurohet që masakra të tilla të mos ndodhin kurrë më.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti masakrën një “faqe të zezë dhe të shëmtuar në historinë botërore”.

Antisemitizmi është një perceptim i caktuar ndaj hebrenjve, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj tyre dhe konsiderohet të jetë një formë racizmi.

 

Fraksion.com