“Historia nuk fillon e as mbaron”; Ministri Çuçi prezanton Gledis Nanon si drejtor i Përgjithshëm i Policisë
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi prezantoi sot drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Çuçi u shpreh se, “sot është një ditë e veçantë nga ato që ndoshta janë si gur kilometrik për punën e një prej organizatave më të vjetra të shteteve”.
“Historia nuk fillon me një drejtor dhe mbaron me një drejtor, por unë me bindje të plotë them që drejtor Ardi Veliu gjatë 4 viteve të mandatit të tij pa diskutim që e ka çuar Policinë e Shtetit në nivelet më të mira që ajo ka pasur në 30 vitet e tranzicionit”, theksoi Çuçi.
“Këtu ndajmë të njëjtin mendim të gjithë bashkë. Gjithkush mund të ketë rezerva, por përpara fakteve kokëforte të gjithë duhet të pranojmë që Policia e Shtetit është një organizatë me dinjitet dhe tërësisht e barabartë me partnerët tonë perëndimorë. Policia e Shtetit ka sot besueshmërinë më të lartë që ka pasur në 30 vitet e pas tranzicionit”, u shpreh Çuçi.
Çuçi tha se, “e gjetëm Policinë e Shtetit me 35% nivelin e besueshmërisë dhe sot që Ardi lë stafetën e kemi në 65%”.
Çuçi shtoi se, “në cdo sektorë në çdo statistikë Policia e Shtetit sot është superiore ndaj vetes së vet që ka qenë përpara disa vitesh. Padyshim një nga kontribuuesit e këtyre rezultateve është edhe drejtor Ardi Veliu”.
“Sot kalojmë stafetën dhe fillojmë një rrugëtim të ri me një oficer të ri të karrierës gjithashtu. Gledis Nano do e ketë shumë të vështirë sfidën edhe për shkak të niveleve ku ka arritur performanca e Policisë së Shtetit”, theksoi Çuçi.
“Përveç konsideratave të larta që kemi për Gledisin si oficer edhe si shërbyes me profesionalizëm të lartë deri më sot në Policinë e Shtetit, fjalët e tjera do t’ia lëmë kohës dhe punës që vetë Gledisi do demostrojë gjatë ushtrimit të detyrës”, nënvizoi Çuçi.
“Asnjë drejtor policie, asnjë ministër i Brendshëm nuk mund të ketë sukses pa angazhimin e të gjithëve ju që jeni sot dhe të gjithë atyre punonjësve të Policisë që shërbejnë në çdo cep të Shqipërisë”, përfundoi ministri Çuçi.
Nano: Do të vijoj më tej në çuarjen përpara të reformave në Policinë e Shtetit
Veliu: Policia e Shtetit sot është shumë herë më e mirë se dje
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në fjalën e tij gjatë ceremonisë, u shpreh se, “në 35 vitet e mia nën uniformë, duke filluar nga 14 vjeç, jam brumosur dhe edukuar që t’i shërbej vendit tim dhe qytetarëve të vendit tim. Çdo ditë të karrierës time, çdo ditë të detyrës tim jam mbështetur në 3 shtyllat kryesore, të cilat kanë qenë çdo ditë në vlerësimin tim si ndershmëria, përkushtimi dhe humanizmi”.
“Sot, Policia e Shtetit është më mirë se dje dhe falë kësaj pune të cilën, së bashku përballuam sfidat e tërmetit të vitit 2019, kur që në momentet e para deri sa u përfundua dita e fundit, ishit të parët të cilët dhatë ndihmën e parë, shpëtuat jetën e qytetarëve dhe kryem këtë mision më së miri”, u shpreh Veliu.
“Prandaj kam një vlerësim dhe një mirënjohje për të gjithë juve, për faktin sepse së bashku arritëm që të menaxhonim qindra tubime, të cilat në momente të caktuara u shoqëruan edhe me lëndime të jo pak, por 67 punonjësve të Policisë”, tha Veliu duke shtuar se, “për muaj dhe vite me radhë arritëm që të menaxhonim të gjithë situatën e pandemisë”.
“Policia e Shtetit sot është shumë herë më e mirë se dje, pavarësisht se të verbuarit nga 20-fishimi i çmimit të kanabisit në vendin tonë, apo të shurdhuar nga 1 ton kokainë e bllokuar nga Policia, nga ju të nderuar kolegë, kërkojnë të hedhin baltë mbi policinë, mbi punën. Mbi punën, djersën e 12 mijë punonjësve të policisë. Por policia nuk fillon as me mua dhe nuk mbaron as me mua”, u shpreh Ardi Veliu.
Fraksion.com