Vizionar, gjenial, mizor, histerik. STEVE JOBS, dy gjysmat e një molle
Sipas një legjende të lashtë, në Gordio, në mbretërinë e fuqishme midis Lidisë dhe Babilonisë të shekullit të tetë pes, ekzistonte një nyjë që do të zgjidhej vetëm nga mbreti i ri i Azisë. Një version ante litteram i shpatës në shkëmb. Aleksandri i Madh erdhi, nxori shpatën dhe këputi nyjën.
Në fakt, pushtuesi i madh nuk respektoi rregullat: nyja duhej të zgjidhej, jo të pritej. Por prapëseprapë, Aleksandri u bë sundimtari i Azisë.
Mitet janë mizore, por efektive: shprehja “nyja Gordiane” mbijeton edhe sot, sinonim i problemit të pazgjidhshëm. Dhe ky mit i përshtatet në mënyrë të përsosur përshkrimit të jetës së Steve Jobs-it, dhjetë vjet pas vdekjes së tij: Jobsi zgjidhi nyjën Gordiane të teknologjisë – të asaj që mendohej të bëhej dhe asaj që nuk ishte e mundur të bëhej – pa parë askënd në fytyrë, duke keqtrajtuar, gjykuar dhe dëbuar këdo që, sipas tij, nuk ishte në lartësinë e ëndrrës që ai kishte. Dhe u bë mbret.
Por kjo tashmë dihet. Hagiografia nuk e ka mbrojtur kurrë bashkëthemeluesin e Apple. Në të vërtetë, të gjithë i njohin anët e tij të dobëta, shkëputjen emocionale nga njerëzit, teprimet përtej kufirit të civiles, siç ishte zakoni i zënies së vendeve të parkimit për personat me aftësi të kufizuara. Sot, dhjetë vjet pas vdekjes së tij, pyetja më interesante nuk është kush ishte Steve i Madh, por cila është trashëgimia e tij për shoqërinë moderne.
Dhe kjo është surpriza më e madhe që vjen nga rileximi, dhjetë vjet pas botimit, të biografisë së shkruar nga Walter Isaacson, e titulluar thjesht Steve Jobs. Sikur të kishte zhvilluar anti-trupa kundër plakjes, ky libër përmban syrin hetues dhe të shkëputur të historianit, pranë atij të kronistit. Steve Jobs është një nga ato vepra përfundimtare, e destinuar të mbetet «BIOGRAFIA», dhe jo një nga të shumtat biografi.
Për ata që e kanë lexuar, ka ardhur koha ta rilexojnë: do të habiten.
Për ata që nuk e kanë lexuar, ka ardhur koha ta bëjnë këtë: do të kënaqen.
Historia e kësaj biografie dhe autori i saj shpjegojnë metamorfozën e letrës së printuar, pothuajse sikur të ishte një tekst dixhital që ka pësuar ndryshime, pasurime, lidhje të reja. Isaacson, një gazetar i rangut të lartë i cili ishte kryeredaktor i “Time”, por edhe drejtor menaxhues dhe president i CNN, e nisi me bisedat me shumë nga protagonistët e cituar, përfshirë edhe vetë Jobs. Eshtë biografia e vetme e “autorizuar”, por jo në kuptimin e “miratimit”, edhe pse ishte vetë Jobs, në vitin 2004, ai që kontaktoi Isaacsonin për t’i kërkuar që të punonte me të. (Jobs i tha Isaacsonit “Unë as nuk dua ta lexoj, ky është libri i tij.”) Projekti filloi vetëm në vitin 2009. Kështu që Isaacson kishte dy vjet për të punuar.
Por cilësia e biografisë nuk ndalet këtu.
Libri është një manual për të shpëtuar nga determinizmi që zhvillohet tek të rriturit (prandaj duhet t’u rekomandohet fëmijëve, por edhe më shumë të gjithëve ne, që biem në determinizëm bashkë me moshën). Ai dëshmon se gjithçka është e mundur: për sa kohë që jeni personi i duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Eshtë kronika – në një farë mënyre e papërsëritshme për personazhet e tjerë që kanë bërë histori, por që nuk kanë pasur një Isaacson pranë – e vetë algoritmit të një revolucioni. Me largpamësi ai nuk ndalet në mite të padobishme, përkundrazi i shkatërron ato, si përshembull atë sipas të cilit Jobs e kishte zgjedhur logon, duke menduar babanë e inteligjencës artificiale Alan Turing, i cili kishte kryer vetëvrasje duke helmuar një mollë para se ta kafshonte: “Do të doja ta kisha menduar këtë,” i tha Jobsi, Isaacson -it. E vërteta është se mollët ishin nga dietat radikale të Jobsit, si dhe nga pemishtet që ai frekuentonte që në moshë të re. Dhe gjithashtu termi Macintosh është një variant i emrit të mollëve McIntosh, edhe pse nuk ishte konceptuar nga Jobsi, por nga Jef Raskin, njeriu që në vitin 1981 donte të ndërtonte një kompjuter, i cili mund të mbyllej si çantë.
Jeta e Steve Jobs duket se i paraprin epokës së iluzionit për të ditur gjithçka online. Një epokë në të cilën të ruaje gjithë numrat e revistës “Katalogu i Gjithë Tokës”, apo të memorizoje një titull, mund të ndryshonte jetën. Ndoshta për këtë arsye, atyre që i kanë vitet për ta kujtuar, leximi lë një ndjesi kurioze melankolie, për një botë që është shumë afër dhe larg. I njëjti tekst sot duket më pak i fokusuar në epokën e Apple dhe më shumë në kronikën gazetareske të atij momenti historik të papërsëritshëm, që ndryshoi jo botën dixhitale, por jetën tonë. Një botë e vogël e lashtë e teknologjisë, kur Silicon Valley mund të kishte ende një fytyrë njerëzore.
Mund të ketë një efekt të çuditshëm katartik zhytja në tekst: ne ishim pjesë e një revolucioni kulturor, ndonëse nuk ishim plotësisht të vetëdijshëm për të.
Duke rilexuar jetën e tij me shkëputjen, që vetëm vitet mund ta sigurojnë, bëhet e qartë se si Jobs kishte lënë një mësim të shkëlqyer me fjalimin e famshëm drejtuar të diplomuarve në Universitetin e Stanfordit, në vitin 2005: pikat që na çojnë të jemi ata që jemi, mund të lidhen jo duke parë përpara nesh, drejt së ardhmes, por vetëm duke u kthyer në të kaluarën.
Në libër ka Steve Jobs-ë të ndryshëm që mund të ishin dhe që ne kurrë nuk do t’i kishim njohur (projeksioni i ardhshëm i hippis-ë që udhëtonte në Indi, i diplomuari i Kolegjit Reed, një rrugë që nuk përfundoi kurrë). Këto jetë alternative shfaqen dhe zhduken në lexim, duke i lënë vendin Jobs-ëve që të gjithë i njohim, babait të teknologjisë së bardhë, i vetmi i aftë për të kundërshtuar dominimin e Sony-t të zi.
Jobsi, dhjetë vjet më vonë, bëhet metafora e modernitetit teknologjik: si në Viscount-in e përgjysmuar të Italo Calvinos – ku protagonisti niset për në luftë kundër turqve, goditet nga një e shtënë topi që ndan gjysmën e mirë nga ajo e keqe, por vetëm ribashkimi fatlum, arrin të kthejë një person të plotë me të gjitha kontradiktat e tij, por edhe anët pozitive -, kështu gjysma vizionare dhe inteligjente e Steve Jobsit, nuk do të kishte qenë në gjendje të arrinte asgjë pa gjysmën histerike dhe mizore ndaj atyre përreth tij.
E vërteta është se Jobs ishte si një novacion që anulohet, shtypet dhe rigjenerohet në një akt të vetëm. Një rimishërim i krijesës Schumpeteriane: krijuesi i shkatërrimit./Corriere della Sera , Bota.al
Fraksion.com