Makinacionet e sigurimit: Fati tragjik i grave ruse në burgjet komuniste
Publikohet historia e panjohur e ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”) dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha dhe filluan jetën në qytetin e Tiranës, ku Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkina, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me 16 vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al
Shpresuam dhe mbijetuam
I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhës, që ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.
Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.
Vijon nga numri i kaluar
Zoja
Nganjëherë, nëpërmjet të njohurve, Zoja, arrinte të merrte vesh diçka për të birin; është mirë me shëndet, punon. Kaq. Por ç’ishte kjo për zemrën e nënës? Sa ishte mirë, Zoja punoi në fushë, pastaj nuk mundi më, për arsye shëndetësore e lejuan të mos dilte në punë të rënda. Qëllonte të nxirrte nganjëherë pak pará. Zoja i kishte duart flori, qëndiste bukur, thurte. Të burgosurat e pasura ordinere, shpërdorueset e pronës së përbashkët, vrasëset, të cilat kishin pará, që u vinin në takime dhe u dërgonin pako, porositnin me dëshirë te Zoja punime të ndryshme dhe e paguanin me çmimet e burgut, një gotë sheqer, apo vaj. Paguanin pak, por gjithsesi ishte ushqim. Zoja sëmurej shpesh, disa herë e shtruan në spitalin e burgut në Tiranë. Kështu rrokulliseshin njëri pas tjetrit ato vite të tmerrshme, me uri, frikë, shqetësime. Tek e kujtoj tani atë kohë, më duket se Zoja i përjetoi më rëndë se të tjerat ato 11 vjet, nga ana fizike dhe morale. Në vitin 1985, pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur gjendja në vend, jo menjëherë, por pak nga pak, nisi të ndryshojë dhe ‘susta’ e përndjekjeve nisi të lirohej, djali i Zojës, tanimë i rritur dhe i çliruar nga kujdestaria e të atit, i shkroi nënës, pastaj erdhi në takim. Nuk kam forca ta përshkruaj atë takim, aq shumë hidhërim dhe gëzim bashkë pati në të; qante Sasha, qante Zoja, qanim edhe ne. Djali i tha të ëmës se e priste dhe se do ta ndihmonte. Kur na liruan pas amnistisë së vitit 1986, Zoja u kthye tek i biri, në shtëpinë e saj. Me mundësinë e pare, nënë e bir u kthyen tek të afërmit e tyre në Bashkimin Sovjetik.
Nina
Nina ishte e treta në “grupin e spiunazhit”. Atë e arrestuan gjashtë muaj pas Zojës. Nina ishte më e reja nga ne. Edhe në Shqipëri kishte ardhur më vonë se të gjitha të tjerat, vetëm pak kohë para prishjes së marrëdhënieve diplomatike. Ishte grua simpatike, sykaltër, elegante, gjithmonë e veshur sipas modës dhe me shije. Kishte familje të mirë; burrë të dashur e të vëmendshëm dhe dy djem si drita. Jepte gjuhën ruse në Universitetin e Tiranës, i shoqi punonte në Tregtinë e Jashtme dhe shkonte shpesh jashtë shtetit. Me një fjalë, gjithçka shkonte si s’ka më mirë. Erdhi viti 1974. Burrin e Ninës e transferuan në një qytezë të vogël, llogaritar, me pagë të vogël. Jeta në qytetet e vogla provinciale të Shqipërisë ishte shumë e rëndë. Për ne, të huajat, ajo mund të quhej internim. Izolim i plotë, përgjim etj., etj. Ninën e hoqën nga puna në universitet dhe i kërkuan të shkonte pas të shoqit. Ajo nuk pranoi. Kërkoi lejë të merrte fëmijët dhe të kthehej në Bashkimin Sovjetik. Në vend të lejes… arrestimi. Në tetor 1975, Ninën e thirrën në punë, gjoja për të marrë rrogën që i takonte. Atje e prisnin dhe e arrestuan. Pas arrestimit, kontroll. Në shtëpi ndodhej vetëm djali i vogël, tetë vjeç. Babai ishte në punë në një qytet tjetër, vëllai i madh në shkollë. Hyrjen e vulosën. Fëmija mbeti në rrugë. Për fat të mirë qëlloi që e mori gjyshja. Disa ditë më vonë, burri i Ninës i mori fëmijët me vete. Kështu nisën për këtë familje vuajtjet shumëvjeçare. Nina, e flakur në kasaphanën e hetuesisë, kaloi 9 muaj të frikshëm. Atje merakosej dhe mendonte vetëm për familjen, për djemtë, që mbetën në mëshirën e fatit. Nina i mohoi të gjitha akuzat për spiunazh të fabrikuara nga vetë hetuesit. E torturuan gjatë, e kërcënuan, e katandisën në të tillë gjendje, sa ajo firmoste gjithçka pa e lexuar, çdo protokoll të parapërgatitur nga hetuesit, shpesh madje fletë të bardha. Kjo qe metodë e zakonshme; kësisoj vepruan me të gjitha ne. Këto “dëshmi” i vendosnin në bazën e konkluzioneve të akuzës. Ja, kështu u krijuan “grupet e spiunazhit”.
Ninën e dënuan me 14 vjet burg. Si ne të gjitha, edhe Nina punonte në fushë, lodhej shumë. Por s’donte të dinte për veten; të gjitha mendimet shkonin në shtëpi, në familjen e saj fatkeqe, e cila u ndodh në kushte shumë të rënda. Nina përpiqej të bënte për ta gjithçka që i’a mundësonin fuqitë. Gjatë gjithë kohës qepte diçka për ata. I sillnin rroba nga shtëpia dhe ajo i qepte, i arnonte; kursente ushqimet që i sillnin nga shtëpia dhe përpiqej të gatuante diçka të shijshme, për t’i gostitur ata kur vinin në takim. Kjo ishte e lejuar. Ne na lejonin të këmbenim letra me njerëzit tanë në Bashkimin Sovjetik. Nina i kishte prindërit të moshuar dhe për t’i ruajtur, në fillim nuk u shkroi se ku ndodhej, shkruante të tilla letra, që prindërve t’u dukej se gjithçka shkonte mirë. Kësisoj vepronin shumë nga ne. Na vinte keq për të afërmit tanë. Gjatë viteve të ndarjes, të pritjes së takimit, ata vazhdimisht ishin të merakosur për ne. Po t’u shkruanim ku ndodheshim, do t’u jepnim edhe një goditje tjetër. Disa vite pasi qe burgosur, Nina mori nga shtëpia lajmin e dhimbshëm për vdekjen e nënës. Atëherë vendosi t’i shkruante të vëllait, se ndodhej në burg dhe i lutej t’i tregonte edhe babait me shumë takt. Babai i Ninës, profesor, bolshevik i vjetër, menjëherë nisi të ndërhyjë ku mundej për lirimin e të bijës. Shkroi në instancat më të ndryshme, kërkoi takime, por… gjithçka qe e kotë…! Ndërkohë burri i Ninës me dy djemtë jetonin shumë keq. Paga e tij ishte aq e vogël, sa me të mund të jetoje vetëm gjysmë i uritur. Por ai qëndroi si burrë, e tregoi veten fisnik të vërtetë. Me gjithë shtrëngesat dhe kërcënimet, nuk pranoi të ndahej me gruan dhe gjatë dhjetë vjetëve e ndihmoi atë me sa mundi. Një herë në muaj vinin në takim me Ninën. Ne qëndronim në oborr dhe qanim, sa herë vinin në takim burri dhe djemtë e Ninës, të dobësuar, të dërrmuar, por gjithmonë të pastër.
Fatkeqësitë e ndoqën pa pushim familjen e Ninës. Djali i madh mbaroi shkollën e mesme, por nuk e lejuan të studionte më tej, ai nisi punë, por shumë shpejt e morën ushtar. Fëmijët tanë. Fëmijët e “armiqve të popullit”, i çonin për të shërbyer në reparte të ngjashme me ato të punës në Bashkimin Sovjetik, ku shërbenin ish-të burgosur ordinere të sapodalë nga burgu dhe të tjerë të këtij rangu. Me porosi të komandës së repartit, fëmijët tanë i përndiqnin. Djali i Ninës ishte fëmijë shumë i ndershëm, i çiltër dhe i ndjeshëm. Ai nuk u pajtua kurrë me arrestimin e të ëmës, nuk dinte ta mbyllte gojën, të gënjente, të bënte hile. Gjithmonë dhe kudo thoshte se nëna e tij nuk ka asnjë faj. Në ushtri e përndoqën, e rrahën. Në mes të dimrit i vodhën këpucët. (Reparti, ku shërbente, ndodhej në veri të Shqipërisë, lart në male, ku dimri është shumë i egër). Me shumë vështirësi djali gjeti një palë këpucë të tjera, por i rrinin të vogla dhe djalit të gjorë i ngrinë gishtat. Askush në repart s’deshi të dijë, derisa nisi gangrena. Atëherë e shtruan në spital, ku ai ndenji disa muaj. E kuruan njëfarësoj. Gishtat i shpëtuan. Por nuk e liruan nga ushtria, e dërguan në po atë repart. Talljet dhe ngacmimet nisën nga e para. Djali i gjorë i tha disa herë të atit: “Do të arratisem!” Babai me shumë vështirësi e bindi të duronte. Arratisja gjithmonë përfundonte me burg dhe burgu për të do të ishte shumë i gjatë dhe i rëndë.
Më në fund kaluan dy vjet. Ilian e çmobilizuan, ai u përpoq të futej në punë, por pa sukses. Sëmurej shpesh. Kështu u torturua familja e Ninës deri në vitin 1986, kur na nxorën të gjithave nga burgu. Nina vajti te njerëzit e saj, por gjendja e tyre nuk ndryshoi, mbeti tejet e rëndë. Ninës i jepnin punët më të fëlliqura, më të rënda, absolutisht të pamundura për t’i kryer. S’kishin me se të jetonin… Burri nisi t’i mbushte mendjen Ninës, të merrte fëmijët dhe të ikte në Moskë. Në Bashkimin Sovjetik kishte nisur Perestrojka, çka jepte shpresë se edhe burrin do ta lejonin një ditë të ikte nga Shqipëria. Nina për mjaft kohë nuk pranoi, nuk deshi ta prishte familjen, ta linte burrin vetëm, mirëpo gjendja u bë aq e vështirë, sa Nina më në fund vendosi të ikte me të dy djemtë. Por e lejuan të merrte vetëm djalin e madh. Ai ishte lindur në Moskë, kishte të drejtë të merrte shtetësinë sovjetike, prandaj e lanë të ikte. Nga Moska Nina i ndihmoi njerëzit e saj në Shqipëri, u dërgonte vazhdimisht pako. Dhe nuk i la asnjëherë përpjekjet për t’i tërhequr edhe ata, i’u drejtua organizatave të ndryshme ndërkombëtare, por pa rezultat. Në vitin 1990, kur unë po përgatisja dokumentet për të ikur nga Shqipëria, në ambasadën e Çekosllovakisë, e cila, me porosi të qeverisë sovjetike mbronte interesat e shtetasve sovjetikë në Shqipëri pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike midis BRSS-së dhe Shqipërisë në vitin 1961, konsulli më tregoi se çdo muaj kishte marrë shkresa nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bashkimit Sovjetik me lutjen, për t’i dhënë lejen e largimit familjes së Ninës. Ai i dërgonte ato në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por merrte po atë përgjigje: “Lutemi, mos ndërhyni në çështjet e brendshme të Shqipërisë”.
Djalin e vogël të Ninës, Mishën, e morën ushtar. Misha dërgoi deklaratë me kërkesë t’i jepnin nënshtetësi sovjetike dhe ta lejonin të ikte. Kjo i dha të drejtë ta shtynte shërbimin ushtarak. Si përgjigje për këtë kërkesë, mori… internimin! Bashkë me të atin e çuan në një fshat të largët dhe u përpoqën ta detyronin të punonte në minierën e bakrit. Djali nuk pranoi. Puna në minierë do të thoshte sakatim gati të sigurt, ose vdekje. Pajisjet në minierë ishin të vjetra, kërkesat e sigurimit teknik nuk zbatoheshin, aksidente ndodhnin shpesh, madje me pasoja shumë të rënda. Veç kësaj, kishte pasur raste, kur në miniera apo tunele, organet sajonin vrasjen e njerëzve të padëshiruar. Punë tjetër Mishës dhe të atit nuk i jepnin; ata shitën orenditë e shtëpisë dhe kështu jetuan. Nga vendi i internimit mund të largoheshe vetëm me lejë të operativit të zonës. Misha merrte nganjëherë lejë për të vajtur në Tiranë, të shihte gjyshen. Në njërin prej këtyre rasteve të rralla, djalin bashkë me shokët i ndaluan dhe i futën në polici. Rojave të rendit nuk i kishte pëlqyer pamja e jashtme e djemve dhe muzika, që ata dëgjonin. Në birucë i rrahën dhe i lëshuan vetëm të nesërmen. Pas kësaj Misha ndenji tri javë shtrirë në shtrat me dhembje të forta në veshka dhe në stomak. Por këto ishin konvulsionet e fundit të regjimit enverist. Pas ngjarjeve në Rumani më 1989-ën dhe vrasjes së Çausheskut, autoritetet u trembën dhe nisën të jepnin lejë për t’u larguar nga Shqipëria. Në tetor 1990 Misha me të atin u nisën për në Moskë, ku i prisnin me padurim nëna, vëllai, gjyshi plak dhe të afërm të tjerë. Ata edhe tani jetojnë të qetë, mirë dhe të lumtur në Moskë.
Natasha
Natashën ne e quanim “infermierja jonë”, për mirësinë e veçantë dhe gatishmërinë për të ndihmuar këdo. Natasha, kishte kaluar jetë shumë të rëndë. Prindërit e saj kishin vdekur në burgjet e Stalinit. Babai i Natashës, Arkadi Rozengolts, ministër (komisar i popullit) i Tregtisë së Jashtme, u pushkatua në vitin 1937, pastaj arrestuan dhe pushkatuan edhe nënën e Natashës. Natasha me të motrën u rritën fillimisht në Shtëpinë e Fëmijës, pastaj i morën gjyshi me gjyshen. Natasha u shkollua dhe punoi në Moskë. Atje takoi dhe u njoh me një njeri shumë të mirë, shqiptar, student në fakultetin e Naftës, u martua me të dhe erdhi në Shqipëri. Në Shqipëri nuk e pati të lehtë. I shoqi u sëmur me tuberkuloz dhe Natashës i’u desh për vite të tëra t’i bënte të gjitha vetë: shkonte në spital jashtë qytetit, ku kurohej prej muajsh i shoqi, punonte ditën dhe merrte punë në shtëpi, rriti fëmijët, drejtoi ekonominë e familjes. Gjithmonë më habiste rregulli dhe pastërtia në shtëpinë e saj, por dhe korrektësia e vetë Natashës. Në fillim të viteve ’70-të, jeta sikur hyri në hulli të mbarë. Vajza filloi studimet në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Mjekësisë, djali po mbaronte gjimnazin. Burrin e operuan në Rumani, ai u ndie më mirë, nisi punë. Por… në mesin e viteve ’70-të, kur nisën përndjekje të papara deri atëherë, pushtetarët, organet e Sigurimit, menduan që Natashën, të bijën e prindërve të persekutuar, do të ishte më e lehtë ta kthenin në spiune, ta paditnin për spiunazh.
Në vitin 1975, Natashën e arrestuan. Pas një viti të tërë poshtërimi dhe torturash në qelinë e burgimit paraprak, atë e dënuan me 16 vjet heqje lirie, pasi e akuzuan për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Spiunazhi ekzistonte vetëm në kokën e sëmurë të paranojakut Enver Hoxha dhe të organeve të Sigurimit, që zbatonin urdhrat e tij. As për Natashën, as për ndonjë tjetër nga ne, nuk kishte as fakte, as veprimtari, as dëshmitarë. Ishte vetëm një përrallë e sajuar nga hetuesit, të cilën të detyronin ta nënshkruaje pas kërcënimesh, poshtërimesh dhe rrahjesh. Mbi bazën e këtyre “deponimeve” të gjykonin. Si shembull po përmend një frazë, ku bazohej akuza e Natashës për “veprimtari armiqësore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë në formën e agjitacionit dhe propagandës”: “Nuk mbaj dot këpucë të prodhimit vendi; ato më vrasin këmbët. Gjithmonë kërkoj këpucë të jashtme”. Në familjen e të shoqit, Natashën e donin shumë. Lajmi për arrestimin e saj ishte për ta goditje e rëndë. Vjehrra pësoi insult, u paralizua dhe në atë gjendje, pa lëvizur, jetoi 12 vjet. Të shoqin e sëmurë e dërguan të punonte në një qytet të vogël në veri të vendit, ku i’u desh ta kalonte dimrin e acartë në dhomën pa ngrohje të hotelit, me xhama të thyer, ku ai sërish u sëmur rëndë. Fëmijëve të Natashës nuk u dhanë mundësi të studionin, atyre u takonte të bënin vetëm punë të rëndë të pakualifikuar. Familjen e vunë në kushte të tilla, që për një kohë të gjatë nuk e ndihmonte dot nënën./Memorie.al
Fraksion.com