AktualitetRajoniTë fundit

Është hapur Kutia e Pandorës në Malin e Zi

Emri i Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç përfshihet në aferën “Letrat e Pandorës”. Por kabineti i Gjukanoviçit i hedh poshtë akuzat. Ai thotë se janë përpjekje për të diskredituar Presidentin e Malit të Zi.    

Qendra hulumtuese malazeze MANS, e cila ka marrë pjesë në hulumtimet për Letrat e Pandorës, ka thënë se Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe djali i tij, Bllazho, kanë nënshkruar marrëveshje të fshehta për menaxhimin e pasurisë në vitin 2012, duke u fshehur pas një rrjeti kompanish nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamaja dhe Gjibraltari.

Kabineti i Gjukanoviçit ka thënë se publikimi i qendrës Mans është një tjetër “përpjekje për të diskredituar Presidentin e Malit të Zi dhe familjen e tij”. Në reagim thuhet se Gjukanoviç ka dhënë sqarime për aktivitetet e vitit 2012 dhe se pretendimet e organizatës MANS janë të pavërteta.

Por dokumentet e rrjedhura per ”fshehjen e pasurisë” së Presidentit Gjukanoviç dhe birit te tij Bllazho vazhdojnë të komentohen me të madhe nga partitë në pushtet dhe nga partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit, por dhe nga institucione të ndryshme. Prokurori special shtetëror thotë se do të ndërmarrë te gjitha masat e nevojshme  nga kompetencat e tij  për zbardhjen e fakteve dhe rrethanave dhe për rezultatet do të njoftojë opinionin.

MANS nuk beson në punën e hetueseve të hetimit për Gjukanoviçin

Ndërkaq nga  rrjeti MANS që kanë bërë zbulimin e dokumenteve e që vazhdojnë të sjellin edhe të tjera, nuk kanë shumë besim në punën e prokurorit special. Dejan Milovac nga MANS  thotë se “edhe më herët ka pasur zbulime të rëndësishme lidhur me paratë e politikaneve të Malit të Zi  jashtë e deri tani nuk kemi pasur kurrfarë përgjigjesh, prandaj edhe me këtë rast nuk pres ndonjë gjë të re”.  Ai shton se “ështe i nevojshëm bashkëpunimi ndërkombëtar me Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë  të cilët kanë përvojë kur janë çështje  komplekse të hetimeve financiare, veçmas ato që përfshijnë dhe destinacionet OFF SHORe”.

Për Lëvizjen Qytetare URA të zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviç, pushteti i Gjukanoviçit nuk meriton të ushtrojë  kurrfarë funksioni politik. Drejtoresha politike e Lëvizjes URA, Ana Novakoviç  i ka kërkuar Presidentit që t’i përgjigjet opinionit ,,përse llogaritë  bankare nuk i ka hapur në vend,  por në destinacionet e largëta përmes kompanive off shore prapa të cilave është fshehja e pasurisë”. Kjo parti ka vite që insiston në miratimin e Ligjit për prejardhjen e pasurisë së Gjukanoviçit.  Nga ana  tjetër funksionarët e partisë Demokratike te Socialiste të Gjukanoviçit, vlerësojnë se e tërë kjo është një aferë tjetër e fabrikuar kundër Presidentit  të Malit të Zi. /DW

 

Fraksion.com