AktualitetPolitikëTë fundit

“Berisha do trajtohet si deputet pa grup parlamentar”, Nikolla: Çmimi i energjisë s’po rritet vetëm në Shqipëri…

E ftuar në emisionin ‘Frontlinë’ në ‘News24’ kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, teksa komentoi paralajmërimin e Ramës për rritjen e çmimit të energjisë, theksoi se kjo është një krizë me të cilën po përballet e gjithë bota dhe se nuk ka prekur vetëm Shqipërinë.

“Është një krizë e cila po përballet e gjithë bota, për shkak të ndryshimeve klimatike, për shkak të rritjes së nevojës për energji. Pra janë një sërë shkaqesh që kanë çuar në një rritje ka të madhe. Kjo është një situatë që nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Por në sajë edhe të asaj që kryeministri tha, pritet që të trajtohet sërish kjo situatë. Për sa kohë është një fenomen me të cilin po përballen edhe vendet e zhvilluara patjetër edhe Shqipëria jonë e vogël mbetet e prekur dhe mbetet të shohim se cili do të jetë reflektimi nga ana e qeverisë”, u shpreh Nikolla.

E pyetur nga gazetarja Marsela Karapanço për raportin me ish-kryeministrin Sali Berisha, Nikolla theksoi se si kryeparlamentare raporti i saj është i njëjtë si me të gjithë deputetët, ndërsa shtoi se nëse do e shihte si qytetare, shpallja “non-grata” është diçka shumë e rëndë me të cilën i duhet një politikani të përballet.

“Si qytetare e Shqipërisë them se nuk ka gjë më të rëndë që mund t’i ndodh një politikani për të cilin populli ka investuar, ndërsa si kryeparlamentare raporti është ai që një kryeparlamentare ka me të gjithë deputetët.  Sa kohë që është deputet i Parlamentit të Shqipërisë do të trajtohet si deputet, por pa një grup parlamentar”, tha më tej Nikolla.

 

Fraksion.com