Strategjia e re kombëtare për Rininë; Rama: Jo më probleme mbijetese në shkolla, tani sfidë cilësia
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi zhvilluan sot një konsultim publik me nxënësit e 3 gjimnazeve në Tiranë, lidhur me hartimin e strategjisë së re kombëtare për Rininë (2022-2029).
Konsultimi publik i cili u zhvillua sot në ambientet e shkollës “Ismail Qemali”, vjen në kuadër të një turi që do të zhvillohet në gjimnazet e gjithë Shqipërisë, dhe që synon të prodhojë në bashkëpunim me të rinjtë një dokument pune dhe angazhimesh konkrete të institucioneve kombëtare e vendore, në funksion të fuqizimit të rinisë shqiptare.
Rama e konsideroi këtë dëgjesë shumë nxitëse për të marrë në konsideratë edhe gjëra që mund të duken të vogla por që në jetën e përditshme të çdo nxënësi kanë peshën e tyre.
Përtej strategjisë që është një dokument me një horizont disavjeçar, Rama tha se “ky proces na vlen shumë edhe për të adresuar çështje imediate, ose të tjera që mund të adresohen në periudha afatmesme.
Ai kërkoi përfshirjen e sa më shumë nxënësve në këtë proces, në mënyrë që të krijohet një sens më i qartë mbi çështjet kryesore që kërkohen nga të rinjtë.
“Disa prej pikave që u prekën janë shumë sensitive dhe të domosdoshme për t’u adresuar me shpejtësi, por në disa prej tyre më vjen mirë që ne kemi vendosur objektivat tona edhe në programin e ri të qeverisë. Një prej tyre është domodoshmëria për të transformuar krejtësisht mësimin e informatikës. Jam 100% dakord që laboratorët e informatikës edhe aty ku janë e kanë mjete, lënë shumë për të dëshiruar, jo vetëm nga pikëpamja e aksesit në ato mjete, por edhe e cilësisë së dhënies së mësimit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se teknologjia avancon çdo ditë, ndaj shprehu besimin se plani për t’i dixhtalizuar komplet hapësirat e mësimit të informatikës do jetë efikas dhe do ta vëmë në jetë më shpejt se sa duke filluar nga viti i ardhshëm.
Po ashtu, Rama nënvizoi se “ne kemi bërë shumë investime për infrastrukturën shkollore, laboratoret, por njësoj si me klasat e informatikës, bëhet investimi i parë dhe pastaj vazhdimësia nuk garantohet”.
“Librat që ju merrni bazohen në një tjetër qasje. Në ndryshim nga dikur, tekstet janë shumë të lidhur me orët e praktikës. Nëse ajo që shkruhet në libra nuk kombinohet me orët e praktikës ashtu siç duhet, me të njëjtën cilësi, problemi bëhet serioz”, tha Rama.
Lidhur me këshillimin e karrierës, Kryeministri tha se “problemi është shumë i mprehtë dhe duhet të gjejmë rrugët e duhura që ta bëjmë sa më atraktiv”. “Pra, jo thjesht të kemi pika referimi në shkollë për karrierën, por edhe t’u rrisim nxënësve interesin për të eksploruar veten në raport me atë që dëgjon”, tha ai.
Po ashtu, Rama vërejti se aspekti ekstrakurrikular është shumë i dobët në shkollat tona. “Është si thelë mbi bisht, është punë angari dhe është një boshllëk i rëndësishëm në aspektin e formimit të nxënësve si qytetarë dhe si personalitete, përtej faktit që formohen nga pikëpamja e dijeve si nxënës. Në këtë aspekt, ne kemi idenë që duhet të fuqizojmë shumë programin e arteve e të zejeve, por në një sens shumë më të gjerë sesa thjeshtë piktura, vizatimi, muzika, teatri, për të shkuar tek realisht krijimi i mundësive. Kjo për të krijuar disa koncepte fillestare e për të pasur disa dije fillestare lidhur me profesionet e me zanatet, gjë që paralelisht me marrjen e atyre dijeve, të krijon edhe një ide më të qartë se çfarë drejtimi do të marrësh”, shtoi Rama.
Tek zejet, Kryeministri tha se “janë shumë gjëra që mund të përfshihen, nga ato që lidhen me tokën apo me prodhimin”. “Në fakt, sot jemi duke punuar për një projekt shumë të thjeshtë, të kthimit të shumë hapësirave të shkollave, që janë hapësira të gjelbra teorikisht, por që përgjithësisht janë hapësira të pashfrytëzuara, në hapësira prodhuese, në mikroferma ku nxënësit e interesuar, nën kujdesin e një agronomi mund të marrin dije për ciklet e prodhimit. Njëkohësisht, aty mund të krijohen edhe zinxhirë modestë, por sidoqoftë, të rëndësishëm vlerash, sesi prodhimet e shkollës mund të përdoren apo mund të shiten. Natyrisht nuk bëhet fjalë për prodhime që do ndryshojnë buxhetin e shkollës, por, sidoqoftë, për të hyrë edhe në atë rrugë që folëm, të marrjes parasysh të shumëçka, përpara sesa të vendosësh se kush është drejtimi më atraktiv për karrierën tënde”, shtoi ai.
Po kështu edhe për sa i përket sporteve. “Krijimi i një bërthame të mirëorganizuar të një lëvizjeje olimpike që fillon nga poshtë-lart është qëllimi ynë, në kushtet kur tanimë e kemi rikthyer edukimin fizik në shkollë, se ishte zhdukur për shumë e shumë vite në mënyrë absurde, që sidoqoftë ju e dini më mirë se unë, është i pamjaftueshëm dhe nuk është se ju jep ndonjë gjë më shumë atyre që kanë një prirje më shumë për të bërë aktivitete sportive”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “këto janë të gjitha sfida të një faze tjetër, pasi deri dje flisnim për ngrohje, për klasa që nuk kishin xhama, për mësues që ishin komplet të pasigurt dhe që përdoreshin e keqpërdoreshin politikisht, emëroheshin sipas orekseve të partisë e që lëviznin sa andej-këtej, ndërkohë sot jemi në një nivel tjetër”.
“Flisnim për libra që ishin pa lidhje fare, sot edhe këtu jemi në një nivel tjetër. Por tani që këto gjërat bazë janë vendosur, bëhen shumë më evidente problemet e cilësisë, problemet e një ndryshimi që e bën raportin me shkollën një raport të një natyre tjetër, jo thjesht shko, dëgjo, ik dhe eja përsërit atë që dëgjove dhe merr notën, por shumë më tepër se kaq. Kjo ndikon në shumëçka tjetër që vjen më pas. E për atë që vjen më pas, unë jam 100% dakord me ju”, iu drejtua Rama nxënësve.
Kryeministri tha se “nuk ka asnjë diskutim që, nëse në nivelin e shkollave të mesme apo në nivelin e mëposhtëm janë bërë disa ndryshime që janë vërtetë të rëndësishme e kanë krijuar një bazë të re mbi të cilën ne mund të flasim plot për të tjera nevoja, që janë nevoja që fillojnë e bëhen nevoja emergjente të cilësisë, jo më të mbijetesës, me universitetin jemi ende mbrapa”.
“Prandaj po bëjmë çmos të hapim rrugën për të sjellë sa më shumë universitete të huaja në Shqipëri, që të bashkohen me universitetet tona dhe hap pas hapi të arrijmë në dhënien e diplomave të barasvlershme që ju të mos keni nevojë të ikni jashtë për të bërë shkollën, por të gjeni këtu universitete të huaja publike, që janë universitete ku përndryshe do të shkonit duke lënë shtëpinë e duke shpenzuar shumë më tepër nga buxheti i familjes. Edhe ky është një proces që besoj do të na çojë në një nivel tjetër, por na duhet kohë dhe durim për ta realizuar. Kemi disa hapa të mirë që po bëjmë, por sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për maturantët e sivjetshëm apo për ata të vitit tjetër besoj, sepse ky program do të kërkojë kohën e vetë”, tha ai.
Fraksion.com