SHBA-ja shpreson të rifillojë bisedimet me Iranin
Shtetet e Bashkuara shpresojnë që së shpejti të rinisin bisedimet bërthamore me Iranin, tha një zyrtar i lartë amerikan të hënën (5 tetor), transmeton agjencia AFP.
Ky zyrtar megjithatë ka theksuar se Teherani po zhvillon kapacitetet bërthamore në nivele “alarmuese”.
“Ne shpresojmë se mund të kthehemi në Vjenë për bisedime në një periudhë mjaft të shkurtër kohore”, u tha gazetarëve zyrtari i lartë i administratës amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti.
SHBA-ja dhe Irani nuk zhvillojnë bisedime direkte në Vjenë të Austrisë mirëpo me ndërmjetësimin e fuqive evropiane.
Disa raunde të bisedimeve nuk kanë pasur ndonjë sukses.
Palët po synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore e cila ishte arritur në vitin 2015. Në vitin 2018 SHBA-ja ishte tërhequr nga kjo marrëveshje, pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, pati theksuar se ajo nuk ishte e negociuar mirë, dhe se i mundësonte Iranit që në plan afatgjatë të posedojë armë bërthamore.
Që nga ajo kohë Teherani nuk e ka përfillur marrëveshjen duke shtuar angazhimin drejt pasurimit të uraniumit, i cili nëse shkon në 90% të pastërtisë mund të shërbejë për prodhimin e armës bërthamore.
Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit tha të hënën se raundi i ri i diskutimeve mund të fillojë në fillim të nëntorit.
Aktiviteti bërthamor i Iranit do të jetë në qendër të bisedimeve midis ekipeve të sigurisë kombëtare amerikane dhe izraelite në Uashington të martën dhe të mërkurën.
Këshilltari izraelit i Sigurisë Kombëtare, Eyal Hulata dhe homologu i tij në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, do t’i bashkohen një takimi të Grupit Konsultativ Strategjik SHBA-Izrael, i cili ka në përbërje përfaqësues nga agjencitë diplomatike, ushtarake dhe të inteligjencës të të dyja vendeve.
Izraeli ka shprehu skepticizëm për negociatat e Vjenës megjithatë administrata e presidentit amerikan, Joe Biden beson “shumë fuqishëm se rruga diplomatike mbetet më e mira”, tha zyrtari.
Fraksion.com