“Pazari” kur po ndërrohej pushteti; Miku i politikanëve mori 3.6 mln euro në kohën kur Berisha po ikte dhe vinte Rama
Vasil Kallupi, biznesmeni që përfitoi me dy pagesa, para dhe pas tenderit 29 milionë euro për linjën me Kosovën, thuhet se ka qenë mik i shumë politikanëve, përfshi edhe Fatos Nanon.
Por ish kryeministri Nano mes viteve 2011-2016 kur diskutohej ky tender, nuk kishte asnjë forcë politike, kishte dalë nga loja përfundimisht. Konteksti politik kur u zhvillua ky tender me para të taksapaguesve gjermanë në ndihmë të Shqipërisë, është tërësisht tjetër. Procesi nisi në mars të vitit 2011 nga OST, në kohën kur ministria e ekonomisë drejtohej nga Ilir Meta aleati i ish kryeministrit Berisha.
Siç referon Birn, Kompania kroate Dalekovod ofroi ta ndërtonte linjën për 36 milionë euro dhe Energoinvest për 29 milionë euro. Dalekovod u përzgjodh si fituese për shkak të ofertës më të mirë teknike. KFË dha dritën jeshile, por OST refuzoi ta nënshkruante kontratën. Në kohën kur në tryezën e punës së ish ministrit të ekonomisë, kryeministrit të asaj kohe, ndodhi krisja e madhe mes PD dhe LSI. Po afronin zgjedhjet e vitit 2013 dhe pak muaj para zgjedhjeve Ilir Meta bëri marrëveshje me socialistët, marrëveshje që u noterizua më një prill të atij viti në Shkodër.
Pas zgjedhjeve që larguan nga pushteti Berishë, në dhjetor të vitit 2013 u zhvillua tenderi i dytë dhe oferta e Energoinvest prej 29 milionë euro u përzgjodh. OST-ja e nënshkroi kontratën në prill 2014 dhe Energoinvest e përfundoi pjesën prej 151-kilometra të linjës, midis Tiranës dhe kufirit me Kosovën në qershor 2016. Kroatët e Dalekovod ndërtoi pjesën kosovare të linjës së interkonjeksionit.
Në këtë dokument të dalë nga skandali Pandora Papers, duket se në mars të vitit 2013 kompania fituese e tenderit në Shqipëri, i paguan 3.6 milionë euro një kompanie konsuilence të sapo krijuar në emirate e bashkuara me emrin AL Energy Transmission’ e cila drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Vasil Kallupi. Kujtojmë se kompania boshnjake u shpall fituese e tenderit shumë muaj më vonë, në dhjetor të vitit 2013./TCH
Fraksion.com