Kryesuesja e OSBE-së në Tiranë, Linde: Po punojmë mbi arritjet e kryesisë shqiptare
Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë dhe njëherësh kryetarja e OSBE-së, Ann Linde, deklaroi sot se, “Suedia mbështet procesin e integrimit në BE të Shqipërisë”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Punëve të Jashtme në Tiranë, Olta Xhaçka, Linde theksoi se “Suedia do të mbetet një partnere e angazhuar në përpjekjet tuaja për reformat evropiane duke përfshirë edhe bashkëpunimin dypalësh”.
“Në vitin 2021, Suedia planifikon të ripërtërijë angazhimin për të mbështetur Ballkanin Perëndimor nëpërmjet miratimit të një strategjie të re për bashkëpunimin për zhvillim suedez për Ballkanin Perëndimor. Fokusi do të jetë në demokraci, të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës, barazi gjinore, klimën dhe mjedisin, përfshirë zhvillimin ekonomik dhe shoqëri të paqta dhe gjithëpërfshirëse”, tha Linde.
Linde nënvizoi se, “vendimi i BE-së për të çelur negociatat për anëtarësim për Shqipërinë është një gur kilometrik i marrëdhënieve tona. Është një njohje dhe pranim i vendosmërisë dhe punës së kryer nga qeveria juaj dhe nga populli shqiptar. Ne e mirëpresim progresin që ju keni kryer dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni në këtë rrugë”.
“Marrëdhëniet tona të shkëlqyera dhe bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh janë rritur edhe më shumë në kuadër të trojkës së OSBE-së. Kontaktet e ngushta midis qeverive tona vlerësohen shumë. Pres me padurim për të forcuar më tej bashkëpunimin midis OSBE-së dhe Shqipërisë duke përmendur edhe marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve tona në vitet në vijim”, tha Linde.
Sa i përket vizitës së saj në Tiranë, Linde u shpreh se, “reflekton rëndësinë që ne i kushtojmë bashkëpunimit mes OSBE-së me Shqipërinë si një shtet pjesëmarrës me vlerë”.
“Do doja të përgëzoja Shqipërinë për kryesinë e suksesshme që ajo pati në vitin 2020 dhe faleminderit për bashkëpunimin e shkëlqyer në trojkën e OSBE-së. Ne po punojmë mbi përpjekjet e rëndësishme dhe arritjet e rëndësishme të kryesisë shqiptare për të vijuar me punën tonë për çështje si siguria, kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”, tha Linde.
“Do doja të shprehja vlerësimin tim për qeverinë shqiptare, për bashkëpunimin e saj të shkëlqyer me prezencën e OSBE-së këtu. Inkurajoj Shqipërinë si vend pritës të vijojë dhe shfrytëzojë plotësisht ndihmën dhe ekspertizën e saj për të çuar përpara objektivat strategjike të vendit. Përmes prezencës, OSBE-ja do të vijojë të ofrojë një mbështetje të fortë në proceset e vendit, për reformat. Unë përtërij ofertën e OSBE-së për të dhënë asistencë dhe ekspertizë në këtë fushë dhe fusha të tjera përkatëse”, u shpreh Linde.
“Më erdhi mirë që isha e pranishme për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis OSBE-së dhe Shqipërisë vetëm pak më parë. Memorandumi synon të forcojë përpjekjet tona të përbashkëta kundër përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe armatimeve të lehta. Kjo është një çështje kyçe për sigurinë dhe zhvillimin në rajon dhe përtej tij”, tha Linde.
“Po kështu”, shtoi ajo, “kjo është përparësi për qeverinë suedeze. Në tetor të vitit të kaluar unë dhe ministri suedez i çështjeve të brendshme patëm një diskutim të frytshëm këtu në Tiranë, lidhur me mënyrën sesi mund të forcojmë bashkëpunimin tonë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar përfshi dhe përhapjen dhe keqpërdorimin e armëve të vogla dhe armatimeve të lehta”.
Fraksion.com