Këshillari amerikan i sigurisë kombëtare do të takohet me kryediplomatin kinez
Këshilltari i Presidentit amerikan Joe Biden për Sigurinë Kombëtare do të zhvillojë bisedime me diplomatin më të lartë të Kinës në Zvicër këtë javë, tha Shtëpia e Bardhë të martën, duke përmbushur kështu një premtim nga udhëheqësit e të dy vendeve për rritjen e komunikimit mes zyrtarëve.
Takimi do të vijë në një kohë tensionesh të rritura mes dy ekonomive më të mëdha të botës për një gamë të gjerë çështjesh, ndër to edhe Tajvanin.
“Takimi vjen pas telefonatës së Presidentit Biden të 9 shtatorit me Presidentin Xi ndërsa ne vazhdojmë të përpiqemi të menaxhojmë me përgjegjësi konkurrencën midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Popullore të Kinës”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë i zotit Sullivan me zotin Yang që nga shkëmbimet e ashpra në Alaskë në muajin mars, ku u përfshi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari Blinken, aktualisht në një vizitë në Paris, pati një telefonatë me zotin Yang në qershor dhe theksoi nevojën për bashkëpunim dhe transparencë mbi origjinën e COVID-19ës dhe ngriti tema të tjera të nxehta, përfshirë trajtimin nga Kina të myslimanëve ujgurë, çështjen e Hong Kongut dhe Tajvanit.
Më herët, gazeta e Hong Kongut “South China Morning Post” citoi një zyrtar në dijeni të përgatitjeve për takimin duke thënë se dy zyrtarët do të takoheshin të martën dhe të mërkurën dhe se qëllimi ishte “të rindërtojmë kanalet e komunikimit dhe të zbatojmë konsensusin e arritur mes presidentëve Xi Jinping dhe Joe Biden”.
Telefonata e 9 shtatorit e Presidentit Biden me Presidentin Xi i dha fund një hendeku gati shtatë mujor në komunikimin e drejtpërdrejtë midis udhëheqësve të dy ekonomive më të mëdha në botë dhe ata diskutuan nevojën për t’u siguruar që konkurrenca midis dy ekonomive më të mëdha të botës të mos kalojë në konflikt.
Ndër zotimet e tyre ishte se zyrtarët, përfshirë ata në nivel pune, do të rrisnin komunikimin, sipas një deklarate kineze në atë kohë.
Me tensionet tregtare gjithashtu në krye të axhendës SHBA-Kinë, Përfaqësuesja Amerikane e Tregtisë Katherine Tai, e cila ishte në Paris të martën për të marrë pjesë në takimet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ka thënë se shpreson që së shpejti të zhvillojë diskutime me homologët kinezë.
Të hënën, zonja Tai bëri të ditura rezultatet e një rishikimi të plotë një mujor të politikës tregtare të Kinës, duke u zotuar të mbante bisedime “të sinqerta” me Pekinin për mosmbajtjen e angazhimeve të marra nga pala kineze në marrëveshjen tregtare të ish-Presidentit Trump dhe për t’i dhënë fund politikave të dëmshme industriale.
Global Times, një tabloid i botuar nga Daily People, organi zyrtar i Partisë Komuniste në pushtet, tha në një koment se Kina ishte e gatshme të ndërtonte tregti reciprokisht të dobishme me Shtetet e Bashkuara, por se nuk do të bënte lëshime parimore dhe se nuk kishte frikë nga një garë e plotë.
“Lufta tregtare Kinë-SHBA ka zgjatur për më shumë se tre vjet e gjysmë. Në vend që të dobësohet, ekonomia kineze ka bërë një hap përpara në krahasim me nivelin e Shteteve të Bashkuara”, thuhej në tabloit.
Disa bisedime mes zyrtarëve nga të dy vendet që kur Presidenti Biden mori detyrën në janar kanë sjellë pak rezultate konkrete dhe zyrtarët amerikanë thanë se telefonata Biden-Xi ishte një test nëse angazhimi i drejtpërdrejtë i nivelit të lartë mund t’i japë fund ngërçit në marrëdhëniet, të cilat janë në nivelin më të keq në dekada.
Pas asaj telefonate, Presidenti Biden mohoi të martën një raport në media se Xi hodhi poshtë një ofertë nga Biden për një takim të parë kokë më kokë si udhëheqës.
Samiti i G20ës në Itali në tetor është përfolur si një vend i mundshëm për një takim ballë për ballë, por Presidenti Xi nuk është larguar nga Kina që nga fillimet e pandemisë në fillim të vitit të kaluar./VOA
Fraksion.com