AktualitetPolitikëTë fundit

Integrimi, Xhaçka: Paqartësia e BE-së dëmton paradigmën e stabilitetit në rajon

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, me kryetaren e radhës së OSBE-së, ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, deklaroi se vizita e saj në Shqipëri, është pjesë e një turi rajonal dhe tregues i rëndësishëm i vëmendjes ndaj rajonit tonë.

“Kjo vizitë që vjen në fakt si pjesë e një turi rajonal të ministres Linde është një tregues i rëndësishëm i vëmendjes që Suedia dhe presidenca suedeze e OSBE-së tregojnë ndaj rajonit tonë. Kjo vëmendje është realisht e mirëpritur, sepse siç e dimë të gjithë, rajoni ynë ndodhet në një moment që kërkon shumë vëmendje dhe shumë angazhim multilateral.
Ndodhemi në një moment kur vetë rajoni, pavarësisht vështirësive dhe momenteve delikate si ai i tensioneve në veriun e Kosovës, ka hedhur hapa shumë të mëdha përpara në rrugën e stabilizimit, zhvillimit dhe bashkëpunimit”, tha Xhaçka.

Por nga ana tjetër, ministrja Xhaçka vlerësoi se “BE ka paqartësi lidhur me hapat e mëtejshëm të rajonit në procesin e integrimit”.

“Dhe kjo paqartësi, krahas dëmit që i bën reputacionit të BE-së, dëmton edhe paradigmën mbi të cilën është ngritur stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Xhaçka.

Xhaçka u shpreh se “kjo vizitë, në njërën anë reflekton marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes vendeve tona, por mbi të gjitha shpresoj që kjo vizitë të çelë një kaptiull të ri në marrëdhëniet dhe shkëmbimet mes nesh, qoftë në dimensionin bilateral, qoftë në atë multilateral”.

“Ne kemi sot disa mundësi konkrete për të bashkëpunuar ngushtë në forume të rëndësishme ndërkombëtare si OSBE, apo si Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara”, tha ajo.

Xhaçka rikonfirmoi vullnetin e plotë të qeverisë së Shqipërisë për bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe kontribut në multilaterizëm.

Ministrja vlerësoi se, “angazhimi aktiv i Presidencës suedeze dhe vëmendja e treguar ndaj rajonit, është një mesazh, që sigurisht është lexuar siç duhet si një mesazh angazhimi e mbështetje”.

“E garantova kolegen për gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar, jo vetëm në rajon, ku vendi ynë prej dekadash tanimë luan një rol të rëndësishëm si një shtyllë stabiliteti e eksportues sigurie, por edhe më tej, duke ndarë me Presidencën Suedeze eksperiencën tonë në krye të OSBE, e cila ishte një eksperiencë e suksesshme në një kohë vërtet sfiduese e me probleme komplekse”, tha ajo.

Xhaçka shtoi se “rajoni ynë, vetë Shqipëria, janë prova më e pakundërshtueshme e transformimit pozitiv që mund të sjellë angazhimi multilateral edhe në zona me konflikte që duken të pazgjidhshme”. Sipas saj, “është një eksperiencë historike që ka formësuar përkushtimin e vendit tonë ndaj organizatave ndërkombëtare dhe multilateralizmit”.

“Por, Shqipëria ka edhe një eksperiencë krejt të posaçme me OSBE, pasi kjo organizatë ka luajtur një rol vendimar në zhvillimet demokratike në Shqipëri por edhe në përmirësimin e situatës së sigurisë në rajon, etj. Kjo eksperiencë ka qenë realisht e vyer gjatë kryesimit të OSBE nga vendi ynë dhe padyshim që jemi të gatshëm ta ndajmë atë me ekipin suedez të koleges Linde, pasi vendet tona ndajnë shumë qëndrime e prioritete të njëjta që mund të çohen përpara vetëm falë bashkëpunimit”, shtoi ajo.

Xhaçka theksoi se “për vende të vogla si Shqipëria, por edhe për vende me mundësi e peshë shumë herë më të konsiderueshme sesa ne, siç është Suedia, shpesh është e vështirë të çosh përpara agjenda ambicioze”.

“Aq më tepër kur bëhet fjalë për agjenda që dalin jashtë kornizës së interesave të drejtpërdrejta ekonomike apo gjeopolitike. Por, jam e lumtur që ndajmë të njëjtin besim që kur vende si vendet tona dinë të bashkojnë forcat, të krijojnë sinergji e të mbajnë gjallë diskutime të rëndësishme në forumet e mëdha ndërkombëtare, shancet e suksesit bëhen mjaft më të mëdha. Është kjo arsyeja përse përtej OSBE, unë jam shumë e kënaqur që gjeta gatishmërinë e koleges për të bashkëpunuar edhe në çuarjen përpara të disa prioriteteve të rëndësishmë të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, ku për fat të mirë, vendet tona kanë jo vetëm bindje por edhe interesa të përbashkëta. E kam këtu fjalën për agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, të drejtat e njeriut, luftën kundër ekstremizsmit të dhunshëm, ku jam e bindur që mund të kemi një bashkëpunim të ngushtë e të krijojmë sinergji interesante”, tha ajo.

 

Fraksion.com