AktualitetTë fundit

“I pashë me dylbi, po transportonin diçka drejt makinës”; Banori për ‘3 personat’ e avionit të rrëzuar: S’kishin dialekt verior

Forcat e Policisë, ekspertë të kriminalistikës dhe grupi hetimor kanë qëndruar në vendin e ngjarjes  në Vermosh,  deri në orët e vona të mbrëmjes për të mbledhur prova të mjaftueshme që do të çonin në zbardhjen e plotë ku pista kryesore është trafiku i narkotikëve.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton avioni është sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi. Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit, thotë policia, nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

Është e paqartë se sa persona kanë qenë në vend ngjarje, por sot ka dalë dëshmia e një bariu të zonës i cili ka deklaruar se ishin 3, mes tyre dhe një grua dhe asnjëri prej tyre nuk kishte marrë plagë, e madje në ndryshim nga njoftimi zyrtar i Policisë, ia tregon se ka arritur që të shoh tre persona duke transportuar diçka nga avioni në makinë, proces ky i cili ka zgjatur rreth 45 minuta. Se çfarë kanë qenë duke transportuar, bariu nuk di ta thotë me siguri, sipas Report TV.

“Di që afërsisht 45 minuta deri në një orë kanë qëndruar aty duke bërë transportin nga avioni në fouristradë. Ishin shumë mirë të tre dhe thjeshtë njëri bënte roje dhe dy tjerët me shpejtësi bënin transportin nga avioni tek foruristrada. Jo nuk kam njohur asnjë prej tyre. Njëri ishte rreth 35 vjeç ndërsa dy të tjerët nuk i kam parë shumë mirë. Një m’u duk sikur të ishte femër dhe ajo shpejtonte duke bërë transportin e gjërave nga avioni në fouristradë. Një tjetër ishte rreth 40 e ca vjeç dhe ky ishte personi që nuk më la mua të afrohem por edhe tre të tjerë që erdhën pas meje as ata nuk i la të afroheshin. Unë jam afruar deri në 50 metër nga avioni por nuk arrita të dalloj se çfarë kishte brenda avioni sepse është zonë me pyje dhe nuk dallohej nga 50 metra larg ku isha unë. Vetëm shihja avionin dhe ata njerëzit duke bërë transportin. Në total ishin tre vetë, të gjithë në tokë. Në avion brenda se di sa kanë qenë por në tokë ishin tre persona ku dy bënin transportin dhe njëri nuk lejonte të tjerët që të afroheshin. Personi që bënte roje ishte rreth 3 metër larg nga avioni . Pas krismës unë shkova në vendngjarje për të dhënë ndonjë ndihmë se mendova se janë të aksidentuar. U afrova, por nuk me lanë që të shkoj deri tek avioni. Më bërtitën tre herë dhe një herë bërtita edhe unë. Më thanën largohu, po të them largohu dhe unë u largova. Pastaj nga larg kam parë me dylbi dhe ishte një fouristradë dhe aty ishte njëri që po bënte roje që të mos afrohej askush kurse dy të tjerë po transportonin diçka nga avioni në makinë. Se çfarë po transportonin unë nuk e di por di që diçka po transportonin”, tha bariu.

Ai ka rrëfyer se u ka shkuar për t’i dhënë ndihmë pasi kishte menduar se kishin mbetur të plagosur, por e kanë larguar dhe nga sa ka mundur të kuptojë, nuk flisnin me dialekt verior.

“Shkova thjeshtë për t’i dhënë ndihmë. As tre të tjerët nuk i kanë lënë që të afrohen. Dhe një ore tyre i ka thënë ne jemi malësorë dhe kemi ardhur t’ju ndihmojmë nëse keni diçka nevojë por i ka thënë largohu, largohu, ik, ik i kanë thënë edhe atyre. Ne shkuam vetëm për t’i ndihmuar se menduam se aksident dhe kur rrëzohet një avion dikush mund të humb jetën por ata nuk e pranuan ndihmën tonë. Për këtë ne kemi dyshime. Edhe në dialekt nuk ishin as të zonës por as nga veriu i Shqipërisë. Më të kufizuar në dialekt m’u dukën, më të frenuar”, ka deklaruar bariu.

Nga sa është bërë e ditur nga burimet, por edhe si rezultat i dëshmive, avioni ka tentuar rreth orës 09:00 të ngjitet, por nuk ia ka dalë. Ai ka pushuar për 30 minuta dhe më pas ka tentuar sërish, por është përplasur me gardhin e kësaj fushe si dhe ka përfunduar mes pemës, gjethet e së cilave kishin përfunduar edhe brenda avionit. Ajo që është arritur të mësohet deri më tani, mes shumë pikëpyetjeve që vijnë për këtë ngjarje, është se piloti së bashku me personat që e kanë ndihmuar me fuoristradën e bardhë dyshohet se janë larguar ilegalisht drejt Malit të Zi.

Për mënyrën se si është zhvilluar ngjarja, të gjitha veprimet të çojnë drejt dyshimeve se kemi të bëjmë me trafik të drogës. Kjo për disa arsye. Së pari sepse avioni nuk ka qenë në kontakt me shërbimet e aviacionit civil. Së dyti, piloti dhe bashkëpunëtorët e tij janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, pa lënë asnjë gjurmë, si edhe faktin që vendi në ka pasur edhe eksperienca të tjera të ngjashme, të trafik droge me avion, siç ishte ngjarja e ndodhur në vitin 2014, kur një avion i tipit “Piper” i drejtuar nga piloti italian, Giorgio Riformato u ul në plazhin e Divjakës, në Lushnje, për të marrë një sasi prej rreth 300 kg kanabis sativa si edhe rastin e pilotit italian Guido Guidi, i cili pranoi se do të transportonte 200 kg kanabis, por në momentin e gjetjes së avionit në Ishëm në bordin e avionit nuk u gjet drogë./Report tv

 

Fraksion.com