AktualitetTë fundit

“Do ta merrni vesh kur t’i mbarojë kandili”; Ministri Çuçi flet për shkarkimin e Ardi Veliut

Ministri i Brendshëm përgatit shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Prej më shumë se dy orësh ësshtë duke u zhvilluar mbledhja në Komisionin e Sigurisë. Mes të tjerash deputeti demokrat Luan Baçi ka pyetur ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, nëse është shkarkuar kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, referuar disa lajmeve të publikuara këtë mesditë.

Në përgjigjen e tij, ministri Çuçi nuk e ka mohuar një lajm të tillë, por ka thënë se kjo gjë do të merret vesh në momentin e duhur.

Laun Baçi: Përfitoj nga rasti qarkullon në media një lajm për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, është e vërtetë apo jo se jemi shumë të interesuar

Bledi Çuçi: Do e merrni vesh në momentin e duhur, kur t’i mbarojë apo jo kandili.

Pas krijimit të Qeverisë, në një takim me përfaqësues të Policisë së Shtetit, Rama la 100 ditë afat për të riorganizuar të gjithë strukturën dhe për të vendosur prioritete të qarta.

Kryeministri kërkoi që punonjësit e policisë të përfshirë në afera korruptive, ryshfeti dhe ata oficerë që “luajnë me dy porta”, të largohen nga radhët e uniformave blu dhe të dalin përpara përgjegjësisë penale.

“Keni 110 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë. Që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin.

Kjo duhet bërë në respektin e vetes, masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe nuk ka pse t’i paguajë kostot një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe duhet të shkojë përpara përgjegjësisë. Në çdo qark në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë, nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta dhe ju nuk e keni fare problem as t’i kapni. Ky është një objekt i palëvizshëm në çdo qark”, tha Kryeministri Edi Rama.

 

Fraksion.com