Çfarë fshihet pas tensioneve Iran-Azerbajxhan?
Janë tri çështje që kanë shkaktuar rritjen e tensioneve mes Iranit dhe Azerbajxhanit gjatë periudhës së fundit.
E para është një stërvitje ushtarake të cilën ushtria e Azerbajxhanit e ka zhvilluar së bashku me homologët turq dhe pakistanezë rreth 500 kilometra larg kufirit me Iranin.
Arsyeja e dytë janë kufizimet që ka vendosur Azerbajxhani në qasjen e shoferëve iranianë të kamionëve për në Armeni, përfshirë edhe arrestimin e dy shoferëve.
Dhe çështja e tretë ka të bëjë me raportet e Azerbajxhanit me Izraelin, vend ky i cili nga Irani konsiderohet si armik.
Tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan edhe më shumë pasi Teherani nisi stërvitjet ushtarake pranë kufirit me Azerbajxhanin më 1 tetor.
Ushtrimeve i parapriu vendosja e pajisjeve ushtarake në rajon nga ana e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e priti me shqetësim lëvizjen iraniane duke thënë se ishte i befasuar nga ky veprim.
“Çdo vend mund të kryejë stërvitje ushtarake në territorin e vet. Është e drejtë sovrane. Por pse tani, dhe pse në kufirin tonë?”, tha ai.
Ai tha se që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, 20 vjet më parë, kjo është hera e parë që Irani ka manifestuar një forcë të tillë në kufi.
Lidhja e pretenduar me Izraelin
Në reagimin e tyre disa zyrtarë iranianë, thanë se vendimi për të zhvilluar “lojëra lufte është çështje sovraniteti”, por të tjerët e lidhën atë me një prani izraelite në Azerbajxhan.
Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, tha se Teherani kishte të drejtë të mbante stërvitje. Megjithatë, ai nënvizoi “rëndësinë” e bashkëpunimit midis Iranit dhe Azerbajxhanit.
Të dyja vendet ndajnë një territor kufitar prej 700 kilometrash.
“Ne nuk e tolerojmë regjimin zionist që pranë kufijve tanë të ketë prani dhe aktivitete kundër sigurisë sonë kombëtare. Do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm në këtë drejtim”, tha Amir-Abdollahian në një takim me ambasadorin e ri të Azerbajxhanit më 30 shtator.
Ndërkohë ambasadori iranian në Baku, Abbas Musavi, tha javën e kaluar se manovrat ushtarake të Iranit nuk ishin “një kërcënim” për Azerbajxhanin. Ai shtoi se ato ishin planifikuar më herët.
Komandanti i forcave tokësore iraniane, Kioumars Heydari, gjithashtu e bëri një ndërlidhje të supozuar të raporteve mes Azerbajxhanit dhe Izraelit.
Teherani ka akuzuar Izraelin për sabotimin e programit të tij bërthamor dhe vrasjen e shkencëtarëve të tij bërthamorë, përfshirë shkencëtarin e lartë Mohsen Fakhrizadeh.
Fakhrizadeh ishte personi kyç për drejtimin e një programi sekret bërthamor iranian. Ai u vra në Teheran përmes një prite të udhëhequr nga distanca në vitin 2020. Irani ka akuzuar Izraelin për vrasjen.
“Që nga ardhja e këtij regjimi, ndjeshmëria jonë ndaj këtij kufiri është rritur dhe aktivitetet e tyre këtu janë plotësisht nën vëzhgimin tonë”, tha Heydari.
Ai shtoi se Teherani është gjithashtu i shqetësuar për praninë e “forcave terroriste që erdhën në rajon nga Siria”.
Me këtë ai mbase iu referua raporteve se vitin e kaluar Turqia rekrutoi luftëtarë islamikë për të shkuar në Azerbajxhan dhe për të ndihmuar këtë vend në luftën kundër armenëve etnikë në rajonin e Nagorno Karabakut.
Komandanti iranian tha se Irani nuk është i sigurt se luftëtarët janë larguar nga rajoni.
Irani njihet për përfshirje në konfliktet në rajon përmes grupeve që mban nën kontroll.
Vitin e kaluar ky vend kishte shprehur shqetësim duke supozuar se ekzistojnë synime që terroristët nga Siria po dërgohen pranë kufijve të tij.
Stërvitjet iraniane, të cilat përfshijnë artileri, dronë dhe helikopterë, pasuan stërvitjet ushtarake nga Turqia, Pakistani dhe Azerbajxhani që nisën më 12 shtator në Baku.
Stërvitjet janë quajtur “Tre vëllezërit 2021” dhe qëllimi i tyre, siç është thënë, ka të bëjë me forcimin e lidhjeve mes këtyre vendeve.
Udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, i dërgoi porosi Azerbajxhanit duke thënë që “të mos luajë me bishtin e luanit”.
Shqetësimi i Iranit
Touraj Atabaki, profesor i historisë së Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore në Universitetin Leiden në Holandë, tha për Radion Evropa e Lirë se shqetësimet e Teheranit kanë të bëjnë me faktin se ndjehet i anashkaluar.
“Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s dhe Pakistani është një fuqi bërthamore në rajon. Fakti që këto dy vende i bashkohen manovrave ushtarake të Azerbajxhanit është shqetësuese për Rusinë dhe Iranin. Ushtrimet ushtarake të Iranit e manifestojnë pikërisht këtë shqetësim”, tha Atabaki.
Më 17 shtator, udhëheqësi i Lutjeve të së Premtes në Iran, Ayatollah Hassan Ameli tha se vendet kanë të drejtë të mbajnë stërvitje ushtarake, por shtoi se “këtu, ka ndodhur një incident që ne nuk mund ta lëmë të kaloj lehtë”.
Ai shtoi se meqenëse Azerbajxhani dhe Turqia nuk respektuan të drejtat e Iranit si fqinj, ne i kërkojmë Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare që të lejojë Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të demonstrojë fuqinë në këtë anë të kufirit.
Komentet e tij u bënë pasi Azerbajxhani vendosi një “taksë rrugore” për shoferët e kamionëve iranianë që transportonin mallra dhe karburant në Armeninë fqinje përmes një rruge nëpër Azerbajxhan.
Këto rrugë janë në rajonet të cilat Azerbajxhani i mori nën kontroll vitin e kaluar gjatë gjashtë javëve të luftimeve intensive me Armeninë.
Azerbajxhani gjithashtu arrestoi dy shoferë kamionësh. Ministria e Jashtme e Iranit bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.
Irani dhe Azerbajxhani kanë pasur marrëdhënie të mira në të kaluarën, por Teherani gjithnjë e më shumë ka shprehur shqetësimin në lidhje me pretendimet për ndikimin e Izraelit.
Më 24 shtator, agjencia gjysmë shtetërore e lajmeve Fars, e citoi Ayatollah Hassan Amelin të ketë thënë se stërvitjet ushtarake i dërguan një mesazh Izraelit.
“Izraeli ka ardhur në Azerbajxhan për të komplotuar kundër Iranit”, tha Ameli, pa dhënë detaje./REL
Fraksion.com