AktualitetRajoniTë fundit

Biden mbështet fuqishëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, në një telefonatë me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, diskutoi mes të tjerash edhe për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një njoftim për bisedën nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Presidenti Biden shprehu “mbështetjen e tij të fortë” për vazhdimin e procesit të pranimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit takohen të mërkurën më 6 tetor për të diskutuar perspektivën e anëtarësimit për Serbinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në takim pritet të ritheksohet garancia e BE -së për anëtarësimin e ardhshëm të gjashtë vendeve.

“Takimi do të jetë një rast për të riafirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, gjë që është me interes të ndërsjellë strategjik”, shprehet Këshilli Evropian në një dokument në prag të takimit të së mërkurës.

Zonja von der Leyen bëri javën e kaluar një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të takimit të nivelit të lartë të mërkurën. Ajo tha se mbështeste procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë nuk ka siguri se si mund të realizohet ai konkretisht, duke qenë se vendet e veçanta të bllokut duhet të japin miratimin.

Në shtator, agjencia e lajmeve Reuters, duke iu referuar katër diplomatëve dhe një dokumenti të brendshëm të BE-së, njoftonte se për shkak të shqetësimeve nga reagimet e shteteve anëtare, organizata nuk mund të bjerë më dakord për të dhënë garanci për anëtarësimin e ardhshëm të gjashtë vendeve të rajonit.

Mesa duket bllokimi mbi një deklaratë për takimin e udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit më 6 tetor është një pikë e ulët në strategjinë e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo mospëputhje përkoi edhe me tensionimin e situates në kufirin Kosovë-Serbi

BE-ja kishte planifiuar të përsëriste në takimin e nivelit të lartë këtë javë premtimin e saj të bërë 18 vjet më parë për të dhënë “mbështetjen e qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, sipas një projekt -deklarate që ishte parë nga Reuters.

Por sipas diplomatëve të cituar nga agjencia e lajmeve, ajo kishte kaluar të paktën përmes dy raunde bisedimesh pa një marrëveshje.

Shtetet e BE -së nuk kanë bërë të njohura pozicionet e tyre, por vendet e pasura veriore si Danimarka, Franca dhe Hollanda i druhen një përsëritjeje të pranimit të nxituar të Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 dhe migrimit të keqadministruar të krahut të punës së Evropës Lindore në Britani që i bëri shumë britanikë të ktheheshin kundër BE -së.

Në mars të vitit të kaluar Këshilli Evropian vendosi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por ndërsa pritej organizimi i konferencës ndërqeveritare, e cila shënon dhe nisjen zyrtare të këtij procesi, gjithshka u bllokua papritur nga Bullgaria, për shkak të kërkesave dhe pretendimeve të saj ndaj Maqedonisë së Veriut./VOA

 

Fraksion.com