U qëllua me plumb në kokë, vdes 39-vjeçari shqiptar në Greqi; Ishte pronar i një lokali
Një shqiptar ka humbur jetën mbrëmjen e së dielës, pasi u qëllua me armë zjarri në qendër të Athinës. Incidenti ndodhi jashtë një kafeneje të vendosur në rrugën për këmbësore të Agios Pavlos.
Sipas raportimeve të mediave greke, 39-vjeçari shqiptar u qëllua nga një burrë i maskuar dhe me kapele, i cili iu afrua pronarit në këmbë që ishte jashtë kafenesë dhe po bisedonte me klientët.
Autori pasi qëlloi mbi shqiptarin, u largua me një makinë të bardhë që po e priste ndërkohë që tashmë po punohet për gjetjen e tyre.
Viktima, i cili mësohet se quhet Keli, nga Tepelena, dyshohet se ishte pronar i kafenesë dhe atentati ndodhi jashtë biznesit të tij. 39-vjeçari, madje në lokalin e tij ftonte edhe këngëtarë të njohur shqiptar, me të cilët thuhet se kishte edhe miqësi për shkak edhe të punës që bënte.
Zona në atë kohë ishte e mbipopulluar dhe kishte shumë njerëz. Sipas dëshmive, autori e qëlloi viktimën të paktën gjashtë herë. 39-vjeçari shqiptar mori plumba në kokë dhe bark, dhe u transportua në gjendje të rëndë në spital, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Sipas mediave greke, shqiptari është një emër i njohur për autoritetet greke pasi ishte me precedent të mëparshëm penal dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh.
Fraksion.com