AktualitetTë fundit

Ekzekutimi i dy personave sot në Elbasan; Detaje nga krimi

Dalin në dritë detaje të tjera nga ngjarja e rëndë në Elbasan, ku pas një atentati mbetën të vdekur, Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku.

Dy personat janë ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Elbasan, Ardian Çollaku rreth 50 vjeç, i dyshuar si objektivi i atentatit, si edhe Lulzim Bitri.

Ngjarja ka ndodhur 100m larg vendit ku u vra Emiljano Ramazani.

Ardian Subashi (Çollaku) në 26 maj të vitit 2015 u arrestua nga efektivët e policisë, në qendër të qytetit të Elbasanit.

Një ditë para arrestimit ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Modenas, e kishte dënuar me 23 vjet e 3 muaj e 17 ditë burgim për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 110 dhe 600 të Kodit Penal Italian. Ndërkohë Subashi ka qenë edhe subjekt i OFL  ku vitin e kaluar së bashku me 3 persona të tjerë u është kërkuar deklarimi i pasurisë.

Nga ana tjetër viktima tjetër, Lulzim Bitri ka qenë i dënuar me 4 muaj burg nga shteti maqedonas pasi ishte i përfshirë në një përplasje me armë në Tetovë në vitin 2018 ku një person mbeti i vrarë.

Autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë 3, janë larguar me shpejtësi dhe kanë djegur makinën në Balldre.

Dyshohet se të paktën 3 persona kanë marrë pjesë në këtë atentant mafioz dhe janë ndihmuar më pas nga persona të tjera. Janë ngritur pika kontrolli të shmumta dhe po kryhen kontrolle për kapjen e  autorëve.

Edhe në Tiranë gjithashtu policia ka ngritur postblloqe dhe po ushtron kontrolle të vazhdueshme nëpër makina të ndryshme.

E gjithë zona, duke nisur nga bar-kafeja ku ka ndodhur ngjarja, e deri te zona ku është djegur makina është e pajisur me shumë kamera, pasi në këtë aks rrugor, edhe në të kaluarën janë regjistruar ngjarje të tilla kriminale.

Paraprakisht, dyshohet se pista kryesore e atentatit është larja e hesapeve mes grupeve kriminale, megjithatë, pritet të sqarohen të tjera detaje në këtë drejtim në orët në vazhdim.

 

Fraksion.com