Blinken shkon në Francë për të rigjallëruar Aleancën Transatlantike
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po shkon në Paris, udhëtimi i tij i parë në Francë pas krijimit të një partneriteti të zgjeruar trepalësh të sigurisë mes Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara (AUKUS) që rriti tensionet mes aleatëve transatlantikë.
Ekspertët thanë se presin që Sekretari Blinken, i cili ka lidhje të forta personale me Francën, të përdorë udhëtimin e ardhshëm për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Francë.
Diplomati më i lartë amerikan do të kryesojë takimin e Këshillit Ministror të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin që është planifikuar të mbahet më 5-6 tetor dhe do të përkujtojë 60 vjetorin e organizatës.
Sekretari Blinken do të ketë një takim dypalësh me Ministrin e Jashtëm Francez Jean-Yves Le Drian në Paris. Franca do të mbajë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian nga 1 janari-30 qershor 2022.
“Sekretari Blinken gjithashtu do të takohet me homologët francezë për të vazhduar diskutimet mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve vitale SHBA-Francë për një sërë çështjesh përfshirë sigurinë në rajonin Indo-Paqësor, krizën klimatike, rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia COVID-19, marrëdhëniet transatlantike, dhe punën me aleatët dhe partnerët tanë për të adresuar sfidat dhe mundësitë globale”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë të premten.
Tensionet mbi marrëveshjen AUKUS
Administrata e Presidentit amerikan Joe Biden njoftoi më 15 shtator një pakt të ri sigurie me Australinë dhe Britaninë e Madhe. Sipas marrëveshjes, Australia do të marrë të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore që do të ndërtohen në vend duke përdorur teknologjinë amerikane. Marrëveshja erdhi pasi Australia u tërhoq nga një marrëveshje e mëparshme me Francën për nëndetëset me naftë, duke zemëruar Parisin.
Franca tërhoqi ambasadorët e saj në SHBA dhe në Australi brenda dy ditëve pas njoftimit. Ministri Le Drian deklaroi se ka një “krizë besimi” tek Shtetet e Bashkuara.
Pas një telefonate mes Presidentit Biden dhe Presidentit Francez Emmanuel Macron më 22 shtator, që synonte të zbuste tensionet mbi marrëveshjen e nëndetëseve, të dy udhëheqësit vendosën të “hapnin një proces konsultimesh të thelluara” për të siguruar “besimin”. Macron gjithashtu vendosi që ambasadori francez Philippe Etienne të kthehej në Uashington javën pasuese.
Të enjten, këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Jake Sullivan u takua me ambasadorin Etienne në Shtëpinë e Bardhë për të “vazhduar përparimin e agjendës së përbashkët”, përpara takimit të Presidentit Biden me Macronin në Evropë në fund të tetorit. Të dy janë planifikuar të marrin pjesë në samitin e Grupit të 20-shes në Romë.
“Ne duhet të sigurohemi që besimi s’ka ndryshuar,” tha Karen Donfried, ndihmës sekretarja e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, e sapo konfirmuar në këtë post.
Ndërsa marrëdhënia SHBA-Francë mbetet një marrëdhënie e rëndësishme për të dyja palët, James Goldgeier në Institutin Brookings me qendër në Uashington, tha se administrata Biden “duket se është befasuar pak nga reagimi i zemëruar francez” për marrëveshjen AUKUS.
“Është mirë që dy presidentët po kërkojnë mënyra për të ecur përpara. Nuk ka dyshim se administrata Biden e sheh Indo-Paqësorin si fokusin e saj kryesor. Politika e Shteteve të Bashkuara ndaj rajoneve si Evropa shihet përmes këtij këndvështrimi”, tha për Zërin e Amerikës zoti Goldgeier.
Departamenti i Shtetit tha në një deklaratë se delegacioni amerikan në takimin ministerial të OECD-së përfshin gjithashtu të Dërguarin Special të Presidentit për Klimën John Kerry dhe Përfaqësuesen amerikane të Tregtisë Katherine Tai./VOA
Fraksion.com