Shpërthim me bombë pranë xhamisë kryesore të Kabulit
Një shpërthim me bombë pranë xhamisë kryesore të Kabulit të dielën pasdite vrau dhe plagosi disa civilë afganë, tha zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid.
Ishte sulmi i parë i tillë në kryeqytet që nga fundi i gushtit, kur një vetëvrasës i Shtetit Islamik Khorasan vrau rreth 200 njerëz, përfshirë 13 ushtarë amerikanë, pranë aeroportit të Kabulit.
Askush nuk e mori përgjegjësinë për sulmin e së dielës në xhaminë Eid Gah në qendër të qytetit dhe me sa duket ishte synuar një tubim që ofronte lutje speciale për nënën e zëdhënësit Mujahid, e cila kohët e fundit ndërroi jetë.
Zëdhënësi i talebanëve me bazë në Katar, Suhail Shaheen tha se Mujahidi ishte “i sigurt” së bashku me kolegët e tjerë, sepse shpërthimi ndodhi larg vendit ku ata ishin vendosur.
Hamidullah, një anëtar i talebanëve, tha se ishte vetëm tre metra larg sulmuesit vetëvrasës, në xhami në kohën e shpërthimit.
Filiali afgan i Shtetit Islamik, i njohur gjithashtu si ISIS-K, ka ndërmarrë një seri sulmesh në provincat lindore të vendit, Nangarhar dhe Kunar, javën e fundit, duke vrarë dhjetëra civilë dhe luftëtarë talebanë.
Fraksion.com