Rama në Abu-Dabi: Në këto kohë sfidash globale, kërkohet qasje globale
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria mbështet fort axhendën ambicioze të Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Sigurimit për një angazhim të palëkundur ndaj parimeve të veprimit shumëpalësh.
Rama po merr pjesë në konferencën “World Policy Conference” që po mbahet në Abu-Dabi.
“Ne mbështesim fort axhendën ambicioze të Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Sigurimit për një angazhim të palëkundur ndaj parimeve të veprimit shumëpalësh. Shqipëria vitin e kaluar kryesoi OSBE-në duke dhënë kontribute afatgjata e të qëndrueshme për paqen, të drejtat e njeriut dhe barazinë. Këshilli Ministerial i Tiranës ra dakord për një sërë angazhimesh për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar korrupsionin dhe parandalimin e torturës në rajonin e OSBE-së. Ne realizuam një ecuri mjaft të nevojshme në të gjitha dimensionet e sigurisë së OSBE-së. Dhe si besues të veprimit shumëpalësh në nivel global, Shqipëria do të jetë për herë të parë në historinë e saj të anëtarësisë në Kombet e Bashkuara anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023”, deklaroi Rama.
“Vendi im është mes vendeve më të vogla në botë, kështu që nevoja për të folur për të është e madhe. Besoj shumë fort se globalizimi do të qëndrojë për aq kohë sa jetojmë në të njëjtin planet e ngrohemi nga i njëjti diell, pra aq gjatë sa thellimi i ndërlidhjes sonë, varësia nga ajo është bërë e pandalshme. Interesi ynë i mirëfilltë në bashkëpunimin përtej kufijve po bëhet më i madh, pavarësisht hezitimeve dhe refuzimeve dhe aksioni shumëpalësh duhet të mbetet instrumenti i bashkëpunimit”, u shpreh Rama.
Për Kryeministrin Rama, problemet me të cilat përballemi sot bëhen përherë e më të ndërlidhura.
“Le të marrim ndryshimin e klimës. Ngrohja globale nuk është vetëm çështje e klimës, por edhe e zhvillimit, një çështje sigurie, që ndikon në forcimin apo dobësimin e paqes botërore në tërësi dhe një çështjen e paqes në shumë rajone. Një çështje me ndikim afatgjatë. Kështu që sa më efektivisht të merremi me të aq më mirë do të parandalojmë katastrofat natyrore, përmbytjet, rritjen e nivelit të ujërave e kështu me radhë”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit Rama, sot pandemia COVID-19 është një çështje globale dhe ka marrë kaq shumë jetë krahasuar edhe me humbjet me luftërat botërore.
“Pyetja shtrohet: A jemi në gjendje të merremi të vetëm me këtë “murtajë”? Natyrisht jo! E njëjta logjikë në pikëvështrimin tim shkon edhe për sigurinë, luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, luftën kibernetike, për sigurinë e furnizimit me ujë, për një zhvillim afatgjatë e të qëndrueshëm për të mos lënë askënd pas”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama më tej foli edhe për rëndësinë e qasjeje globale.
“Në këto kohë sfidash globale, që janë edhe kohë të sfidave të besimit, kërkohet një qasje globale, angazhimi i të gjithëve ne me strukturat që kemi ngritur është i nevojshëm. Përfshirja e këtyre strukturave për të përmbushur sfidat e sotme është domosdoshmëri dhe jo në një mënyrë hegjemonike, por harmonike”, deklaroi ai.
Më tej Rama tha se Shqipëria beson se përtëritja e një angazhimi të thellë për të ndikuar veprimin shumëpalësh është shumë herë më i nevojshëm për të realizuar paqe, demokraci e siguruar të drejtat e njeriut.
Ai foli për një angazhim të qëndrueshëm të Shqipërisë ndaj veprimit shumëpalësh.
“Ne jemi të vetëdijshëm plotësisht për përgjegjësinë që na është besuar nga familja e Kombeve të Bashkuara. Ne do ti sjellim Këshillit të Sigurimit këndvështrimin e një vendi të vogël me një politikë të jashtme konstruktive dhe një angazhim të qëndrueshëm ndaj veprimit shumëpalësh. Me një grup njerëzish, të njëjtë në mendim, jemi përpjekur për të prezantuar një traktat kundër pandemisë për t’u përballur siç duhet me pandemi të tilla kaq të kushtueshme”, tha Rama.
Gjithashtu Kryeministri Rama ngriti shqetësimin e pasojave pas pandemisë.
“Ne jemi të shqetësuar edhe për pasojat e pas pandemisë që mund të sjellin rritje të konfliktit, dhunës, shkeljes së të drejtave të njeriut dhe barbarive masive”, deklaroi Kryeministri.
Rama tha se nevojitet një integrim më i madh për axhendën e zhvillimit të qëndrueshëm me çështjet e paqes, sigurisë dhe të drejtave të njeriut.
“Shqipëria konsideron që arritja e këtyre objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe zbatimi i axhendës 2030 është objektivi i përbashkët”, u shpreh ai.
Më tej, Kryeministri u ndal te puna e bërë nga qeveria shqiptare, konkretisht në sektorin e energjisë elektrike, ku tha se Shqipëria pret të bëhet një eksportuese neto e energjisë në këtë dekadë.
“Jemi në të njëjtën linjë me politikat e BE-së dhe dokumentet ndërkombëtare dhe me vendimet për të zhvilluar sektorin energjetik në mënyrë miqësore me mjedisin. Qeveria shqiptare ka nisur të reformojë sektorin e energjisë elektrike që prej vitit 2014, përmes masave të ndërmarra për të plotësuar kuadrin ligjor dhe rregullator në përputhje me paketën e tretë të BE-së për energjinë dhe direktivat e BE-së për energjinë. Ne jemi të përqendruar në diversifikimin e burimeve të energjisë të mbështetur gjithmonë në energjinë e ripërtëritshme, atë diellore e erës dhe kjo do të përmirësojë kushtet aktuale, ku prodhimi është i mbështetur kryesisht te burimet ujore. Gjithashtu qeveria do të miratojë planin e ri në përputhje me axhendën e Komunitetit të Energjisë për çkarbonizimin e sektorit të ekonomisë. Ky plan do të parashikojë prodhimin e energjisë me kapacitetet e instaluara në periudhën 2021-2030. Shqipëria pret që brenda kësaj dekade të bëhet një eksportuese neto e energjisë“, theksoi Rama.
Rama vlerësoi rolin Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunimin shumëpalësh.
“Marrëveshja midis Emirateve e Izraelit ishte një vazhdimësi pas kohërave të bllokimit duke ndërmarrë një hap të jashtëzakonshëm për t’i shtrirë dorën një armiku historik. Emiratet drejtuan përmes shembullit atë çfarë bëhet në të ardhmen, duke mos harruar të shkuarën. Ky zhvillim madhor në historikun e bërjes së paqes është një burim i mirëfilltë frymëzimi për botën, si dhe për rajonin e Ballkanit, ku për një kohë të gjatë luftërash dhe konfliktesh të përgjakshme kanë parandaluar njerëz të kombeve të ndryshme të shohin veten si qenie njerëzore dhe të merren me njëri-tjetrin njerëzishëm”, deklaroi Rama.
Ai shprehu mirënjohjen edhe për mbështetjen që Emiratet i dhanë vendit tonë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Ne e kemi përjetuar në vetë të parë solidaritetin e Emirateve pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, ku 15 mijë familje humbën shtëpitë e tyre për më pak se një minutë. Sheik Mohammed Bin Zayed ishte ndër të parët mes një numri të madh udhëheqësish ndërkombëtarë që shprehën solidaritetin e tyre, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, dhe falë tij e falë udhëheqjes së tij, një lagje krejt e re po ndërtohet për ato familje që humbën shtëpitë e tyre”, theksoi Rama.
Duke u ndalur te strehimi i afganëve në Shqipëri, Kryeministri Rama tha se qeveria shqiptare mori përsipër që të mirëpresë 4000 refugjatë.
“Shqipëria ka qëndruar fort në mbrojtje të afganëve në rrezik. Qeveria shqiptare mori përsipër angazhimin për të pritur deri në 4000 afganë. Është një numër shumë i madh krahasuar me vende më të mëdha e më të pasura, kontributi i të cilave nuk u përputh me nivelin e sfidës. Më kanë pyetur pse? Përgjigjja: duke bërë një gjë të tillë ne nderojmë historinë dhe traditën tonë. Një prej faqeve më të mrekullueshme të historisë sonë është shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria qe i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës sesa para saj, pasi asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve. Së dyti, ne mund të mos jemi të pasur, por kujtesa jonë nuk mund të jetë e shkurtër. 30 vite më parë “afganët” ishim ne, kur në ikje nga ferri ynë, duke iu ikur “talebanëve” tanë që nuk ishin fundamentaliste islamikë, por fundamentalistë stalinistë, na u desh të kalonim detin dhe të shfaqeshim si alienë në brigjet e Italisë dhe Europës. Askush nuk e dinte as se si dukeshim. Nëse nuk do të gjenim ndihmë e shpresë nuk do të ishim sot këtu, një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE e aspiratën për t’u bërë anëtare e Unionit”, shtoi Rama.
Ai tha se këtë ia detyronte fëmijëve tanë.
“Ne e bëmë, sepse u detyrohemi fëmijëve tanë, ata nuk duhen rritur në një mjedis ku u thuhet të mbyllin dyert, të jetojnë me frikë, të kthejnë kurrizin atyre që kanë nevojë. Ata duhet të mësojnë, përmes veprave dhe jo fjalëve, se në këtë jetë ka një kohë kur kërkon, e ka një kohë kur duhet të japësh,” tha Rama.
Fraksion.com