Australia rihap kufijtë në nëntor
Australia do të rihapë kufirin e saj ndërkombëtar nga nëntori, duke lejuar fillimisht udhëtimin e qytetarëve të vaksinuar kundër koronavirusit dhe të të afërmve të tyre.
Që nga marsi i vitit 2020, vetëm disa australianë dhe të tjerë janë lejuar të hynë në këtë vend, për shkak të rregullave strikte kundër koronavirusit. Udhëtimi jashtë ka qenë gjithashtu i ndaluar.
“Është koha që australianët t’i kthehen jetës normale”, tha kryeministri Scott Morrison.
Megjithatë, vetëm shtetet që arrijnë vaksinimin e 80 për qind të popullsisë do të kenë fillimisht lirinë e udhëtimit.
Aktualisht, njerëzit mund të largohen nga Australia vetëm për arsye të jashtëzakonshme, siç është puna esenciale ose vizita e një të afërmi të sëmurë.
Hyrja lejohet për qytetarët australianë dhe të tjerët me përjashtime, por edhe numri i njerëzve që arrijnë atje ka kufizime.
Kjo ka bërë që dhjetëra mijëra njerëz të bllokohen jashtë shtetit.
Udhëtimi për shtetasit e huaj nuk do të hapet menjëherë, por Qeveria tha se po punon për “mirëpritjen e turistëve përsëri”.
Politika e ka ndihmuar Australinë që t’i parandalojë shpërthimet masive të koronavirusit, por ka qenë kontroverse për shkak të ndarjes së familjeve.
Fraksion.com