AktualitetTë fundit

Arrestohen në flagrancë edhe dy vëllezër; Policia në Dibër kontrolle në zona të thella malore për kultivim të bimëve narkotike

Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun e Dibrës me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

Policia tha sot se kontrollet nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, forcat speciale Renea dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, rezultuan se në një lokal në Mat është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje, ndërsa në Dibër, një rast i kultivimit të bimëve narkotike.

“Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas, si dhe janë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe lëndë narkotike cannabis.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të kultivimit e trafikimit të narkotikëve, si rezultat i kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale, në një lokal në fshatin Urakë, Mat, është kapur në flagrancë shtetasi D. N., 32 vjeç, banues në fshatin Bruç, Mat. Gjatë kontrollit, iu gjet e fshehur në trup një armë zjarri pistoletë, me 6 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Kontrollet nga shërbimet e përbashkëta policore kanë vijuar në disa zona të thella malore të qarkut Dibër, pasi disponohej informacion për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit në një zonë të thyer malore të Lurës janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. K., 16 vjeç dhe F. K., 27 vjeç (vëllezër) dhe F. K., 18 vjeç, banues në fshatin Grykë Nokë, Bashkia Dibër. Këta shtetas dyshohen se janë autorë të kultivimit të bimëve narkotike në këtë zonë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar një sasi lënde narkotike, si dhe kanë asgjësuar me anë të djegies pjesën tjetër të bimëve që ishin në proces tharjeje, ku një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme.”

 

Fraksion.com