A është NATO në krizë?
Nga Dimitar Bechev
Më 21 shtator, kryeministri britanik Boris Xhonson u takua me presidentin amerikan XhoBajden në Shtëpinë e Bardhë. Për Parisin, bisedimet nuk ishin asgjë më pak sesa një “grusht shteti diplomatik”. Ato ndodhën menjëherë pas shpalljes së të ashtuquajturës AUKUS, partneritetit trepalësh midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Australisë.
Sipas kushteve të saj, qeveria e Kanberës ra dakord që të blejë nëndetëset amerikane me motor bërthamor, me synim modernizimin e marinës australiane. Mbretëria e Bashkuar iu bashkua të dyjave, duke e shndërruar marrëveshjen e mbrojtjes, në një pakt sigurie të fokusuar në rajonin e Indo-Paqësorit.
E gjitha kjo ndodhi në dëm të Francës, pasi u anulua kontrata e saj me Australinë për ndërtimin e 12 nëndetëseve franceze në vlerë 38.6 miliardë dollarë. Për Xhonson, kjo histori përputhet me moton e Britanisë Globale, sipas së cilës pas Brexit dhe e çliruar nga “prangat”e Evropës, Mbretëria e Bashkuar është e lirë të marrë një rol më të madh në çështjet botërore, duke diversifikuar partneritetet e saj në politikën e jashtme.
Marrëveshja e tregtisë së lirë e nënshkruar kohët e fundit me Australinë, dhe organizimi i samitit COP26, Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës, janë dy triumfe të tjera në skeptrin e kryeministrit britanik, edhe pse ai nuk ka siguruar ende sinjalin eshumë–kërkuar nga Uashingtoni, se një marrëveshje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar është një përparësi për SHBA-në.
Ndërsa administrata e Biden është e përfshirë në një mosmarrëveshje të fortë me Francën mbi shitjen e nëndetëseve, duket se është Britania – dhe jo evropianët e bezdisshëm – partnerja epërzgjedhur nga SHBA-ja në përballje me Kinën, rivalen e saj kryesore gjeopolitike.
Por realiteti është si kurrë më parë më kompleks, sesa ai që do të donte ta paraqiste Xhonson. Së pari, as Mbretëria e Bashkuar dhe as Franca nuk kanë aftësinë të ndikojnë në ekuilibrin ushtarak në rajonin e Indo-Paqësorit. Fakti që Marina Mbretërore ka vendosur në rajon “HMS Queen Elizabeth”, një nga 2 aeroplanmbajtëset, së bashku me një grup avionësh luftarakë dhe 2 anije të tjera patrullimi, nuk i ndryshon dhe aq gjërat.
E njëjta gjë vlen edhe për misionin “Jeanne d’Arc” dhe pperacionin “Clemenceau 21” të kryer nga francezët, apo praninë e personelit ushtarak francez në të gjithë zonën. Ajo që po ndodh në rajon është një lojë strategjike e cila ka në njërën anë Kinën, dhe në anën tjetër SHBA-në së bashku me aleatët dhe partnerët e saj rajonalë, si Japonia, Australia dhe India (i ashtuquajturi QUAD), si dhe Koreja e Jugut, Vietnami dhe Zelanda e Re.
Për kryeministrin australian Skot Morrison, mundësia për të thelluar lidhjet me SHBA–në në fushën e mbrojtjes, e forcon pozicionin e Australisë përkundrejt një Kine gjithnjë e më ambicioze dhe agresive. Sigurisht kjo qasje e ka edhe një kosto:nëndetëset e ndërtuara nga Amerika nuk do të jenë funksionale edhe për shumë vite në vazhdim, ndërsa kontrata franceze mund të ishte zbatuar më shpejt, duke e forcuar marinën australiane.
Por në fakt, SHBA-ja është një lojtare me peshën në siguriinë globale, ndaj mund të ofrojë mbrojtje ndaj Kinës. A do ta dëmtojë AUKUS, NATO-n, duke vënë kundër njëra-tjetrësBritaninë e Madhe dhe Francën, dy aleatët kryesorë evropianë të aleancës?
Sipas një artikulli të fundit në “Global Times”, gazeta që është zëdhënëse zyrtare e qeverisë kineze dhe disa analistëve, Aleanca Veriatlantike do të përballet me disa kosto. Në të vërtetë, retorika e ashpër midis palëve, tërheqja e ambasadorëve francezë nga Kanbera dhe Uashingtoni, dhe anulimi i një takimi në nivel ministror Britani-Francë mbi bashkëpunimin raketor, mund të krijojë përshtypjen e një krize të thelluar.
Por kjo ka të ngjarë të jetë vetëm një zënkë e përkohshme. Ekzistojnë disa arsye pse nuk mund të ndodhë një përçarje më serioze brenda aleancës. Së pari, Londra dhe Parisi janë përplasur më herët në më shumë se sa një rast, veçanërisht mbi pushtimin e Irakut në vitin2003, por asnjëra nuk prodhoi një krizë të qëndrueshme.
Së dyti, ato kanë lidhje të forta dypalëshe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kjo u nënvizua në vitin 2010 nga presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kryeministri britanik DejvidKameron, pas nënshkrimit të të ashtuquajturave Traktate të Shtëpisë Lankaster, të cilat mbulojnë një numër çështjesh, nga bashkëpunimi në ruajtjen e arsenaleve bërthamore, deri në ngritjen e një force ekspedite të përbashkët për të luftuar terrorizmin.
Së treti, pjesa tjetër e anëtarëve të NATO-s, ashtu si edhe Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, po qëndrojnë larg kësaj mosmarrëveshje për të shmangur pasojat negative. Ata preferojnë të presin që francezët dhe amerikanët t’i rregullojnë sërish gjërat, dhe ka që tani shenja se po ndodh diçka e tillë.
Pas një telefonate që zhvilluar mes tyre më 22 shtator, presidentët Bajden dhe Makron bënëpublike një deklaratë të përbashkët me tone pajtuese. Ambasadori francez do rikthehet në Uashington javën e ardhshme, dhe një takim kokë më kokë midis dy udhëheqësve është i afërt.
Por Pekini e ka një arsye për të qenë i lumtur. Kriza e AUKUS i jep Francës dhe ndoshta të tjerëve në BE, një justifikim për t’u distancuar nga qëndrimi i ashpër i administratës Bajdenpërballë Kinës. Po BE -ja? Franca e ka shfrytëzuar situatën, për të argumentuar nevojën e një politike të jashtme evropiane më të fuqishme.
Sabotimi i marrëveshjes mbi nëndetëset “vetëm sa shton nevojën për të ngritur me zë të lartë dhe të qartë çështjen e autonomisë strategjike evropiane”, deklaruan Zhan–Iv Lë Drian dhe Florens Parli, përkatësisht Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Francës.
Por nuk është e qartë nëse ky mesazh tingëllon mirë në kryeqytetet e BE-së. Dhe sigurisht jo në Berlin. Po ashtu nuk mungojnë skeptikët, që e shohin axhendën strategjike të autonomisë si nië minim të aleancës së Evropës me SHBA-në.
Të tjerët janë shumë të kujdesshëm, dhe hezitojnë të përfshihen në një përplasje të panevojshme me amerikanët për shkak të francezëve. “Është shqetësues fakti që Parisi po e prezanton një marrëveshje biznesi dypalëshe si një goditje për BE”- tha një diplomat nga Evropa Qendrore për “Politico”.
Megjithatë Franca ka pjesërisht të drejtë. Në kushtet kur Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara gjithnjë e më shumë tek Kina dhe Indo-Paqësori, evropianët duhet të kujdesen për sigurinë e tyre. Kjo përfshin përballimin e sfidës së Rusisë, projektimin e stabilitetit në rajonin e Mesdheut, kundërshtimin e ndërhyrjeve të saj dashakeqe në punët e brendshme, luftën kundër terrorizmit transnacional dhe krimit.
Arritja e këtyre qëllimeve kërkon një bashkëpunim më të ngushtë midis Francës dhe BE-së, nga njëra anë, dhe Mbretërisë së Bashkuar nga ana tjetër. Mjerisht, perspektivat për një bashkëpunim të tillë nuk janë shumë të mira.
Mund të mos ketë një përçarje të plotë midis Parisit dhe Londrës, por marrëdhëniet janë në një gjendje të keqe, dhe nuk ka gjasa të përmirësohen. AUKUS nuk është në asnjë mënyrë një pikë kthese për sigurinë evropiane, por nga ana tjetër as nuk ndihmon në këtë drejtim./Al Jazeera, Bota.al
Fraksion.com