Ylli i Saimir Hoxhës në memorialin e dëshmorëve të Policisë
Ylli i nënkomisarit Saimir Hoxha, i vrarë tri ditë më parë në krye të detyrës u vendos sot në memorialin para Ministrisë së Brendshme bashkë me yjet e dëshmorëve të tjerë të Policisë.
Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, kolegë, familjarë, etj.
Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama tha se “padyshim që ky është një moment jashtëzakonisht i rëndë për ju dhe në tërësi është një moment aspak i lehtë për të gjithë bashkësinë, pasi humbja e jetës në krye të detyrës së një punonjësi të policisë është vërtet një humbje tragjike që shkon përtej familjes, përtej miqve e të afërmve dhe prek shpirtin e një shoqërie e të një vendi”.
“Sot jemi këtu në ceremoninë e vendosjes së yllit të Saimirit në murin e kujtesës së Policisë së Shtetit pranë yjeve të të gjithë dëshmorëve të trupave tona të mbrojtjes, së rendit dhe sigurisë, në harkun e të gjithë këtyre viteve. Është një kohë e gjatë qysh se është vendosur ylli i mëparshëm, dhe në një kuptim është lehtësim që në gjithë morinë e atyre yjeve në atë mur në këto vite numri i rasteve tragjike është më pak se gishtat e një dore. Por, nga ana tjetër, statistika nuk ka asnjë rëndësi, sepse qoftë edhe një jetë e vetme vlen sa të gjitha jetët kur ajo humbet”, – theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “nuk dua të zgjatem, se besoj që ky shi që po bie rrëmbyeshëm i thotë më mirë se të gjitha fjalët ndjenjat tona në këtë moment që jemi mbledhur këtu.
Por dua të them se sidoqoftë ndiej një lehtësim kur mendoj se fëmijët e Dëshmorit nuk do të jenë vetëm dhe ne do të përkujdesemi, siç kemi nisur qysh dje për t’u kujdesur për familjen e tij, deri kur ata të kenë arritur moshën e pjekurisë dhe të jenë të gatshëm të dalin në jetë”.
“170 % e pagës së babait për fëmijët nuk thotë asgjë në raport me humbjen, as ato 50 milionë lekë që ne i akorduam familjes nuk thonë asgjë në raport me humbjen, por sidoqoftë është një lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar prej dore jo vetëm nga nëna, gjyshërit, por edhe nga shteti dhe nuk do t’iu mungojë asgjë, njësoj sikur babai të ishte në jetë, natyrisht përveç mungesës së tij, që askush nga ne nuk e zëvendëson dot. Nderime dhe lavdi të gjithë Dëshmorëve të Atdheut, të cilëve sot iu bashkohet edhe ylli i Saimirit!” – tha Rama.
Nënkomisar Saimir Hoxha ra në krye të detyrës më 28 shtator në Ishull Lezhë. Hoxha ishte pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.
Këshilli i Ministrave e shpalli dje nënkomisar Saimir Hoxhën “Dëshmor të Atdheut”, si dhe mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve të tij.
Fraksion.com