AktualitetTë fundit

SHÇBA nis hetimin pas vrasjes së nënkomisarit, sekuestrohen materialet në Policinë e Lezhës

Aldi Rama ekzekutoi nën/komisarin Saimir Hoxha vetëm se i kërkoi dokumentin e identifikimit. Dy shokët e autorit, Armando Marku dhe Kristjan Sherri kanë deklaruar në prokurori se kanë qenë duke konsumuar hashash së bashku në zonën e Vainit. Sipas dëshmisë së tyre, Aldi Rama e ka kryer vrasjen nën efektin e drogës. Por pretendimi i tyre nuk është vërtetuar nga hetuesit, pasi në automjetin me të cilin lëviznin të rinjtë nuk janë gjetur lëndë narkotike.

Në media ka qarkulluar informacioni se Rama, Marku dhe Sherri ishin roje të hashashit, por nga hetimet e deritanishme nuk është provuar lidhja e tyre me parcelën e kanabisit që asgjësuan oficeret e policisë pak minuta para vrasjes së Hoxhës.

Ndërkohë po hetohet edhe mënyra si u zhvillua operacioni antikanabis, ku merrnin pjesë vetëm tre oficerë, Saimir Hoxha, shefi i Krimeve, Palushi dhe efektivi Petrit Doda.

Ndërkohë në Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit po heton në dy drejtime. SHÇBA po kryen hetim administrativ dhe penal. Në drejtimin administrativ po verifikohen të gjitha procedurat që janë ndjekur dhe manualet që duhet të ndjek Policia kur ndërmerr një aksion anti-kanabis, planin operacional për asgjësimin e lëndës narkotike.

A ka pasur urdhër shërbimi, urdhër pune e më gjerë. Ndërkohë, në lidhje me hetimin penal, SHÇBA po heton në lidhje me mundësinë e një përplasjeje të mundshme verbale të efektivëve të policisë me të Aldi Ramën pranë makinës ku ngjarja ndodhi. A ka pasur tejkalim kompetencash në përdorimin e armës, lëvizjet, paralajmërimet?

Në fokus të hetimit është edhe negocimi i RENEA-s me Aldi Ramën dhe nëse ka pasur thirrje me megafon për t’i kërkuar të dorëzohet. Po ashtu, në fokus të hetimit është edhe pajisja ose jo e jelekë antiplumb të efektivëve dhe verifikim i efektivit Saimir Hoxha nëse ishte ose jo në orar zyrtar të punës.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së martës në hyrje të lagunës së Kune-Vainit. 21-vjeçari Aldi Rama u vetëvra gjatë ndjekjes nga policia, ndërsa në paraburgim ndodhen dy miqtë e tij, Armando Marku dhe Kristjan Sherri. Ata pritet të njihet të premten në Gjykatën e Lezhës me masën e sigurisë. E vetmja akuza e ngritur deri tani ndaj tyre është moskallëzim krimi.

 

Fraksion.com