AktualitetBota+Të fundit

Senati voton për buxhetin për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë

Senati amerikan pritet të votojë sot për buxhetin për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë federale.

Pas miratimit në Senat, projekt-ligji shkon për votim në Dhomën e Përfaqësuesve ku ligjvënësit po punojnë për ta miratuar atë para afatit të mesnatës.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit, Chuck Schumer tha se paketa do të mbajë nivelet aktuale të financimit të agjencive qeveritare deri më 3 dhjetor. Ajo gjithashtu do të përfshijë 6.3 miliardë dollarë për të ndihmuar sistemimin e refugjatëve afganë që vijnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe 28.6 miliardë dollarë për të ndihmuar shtetet lindore dhe jugore të mëkëmben nga uraganet shkatërrimtare dhe shtetet perëndimore nga zjarret dërrmuese.

“Me kaq shumë çështje kritike për t’u trajtuar, gjëja e fundit që i duhet popullit amerikan tani është mbyllja e qeverisë,” tha zoti Schumer të mërkurën në Senat. “Ky propozim do të parandalojë që të ndodhë një gjë e tillë”.

Republikanët e Senatit në fillim të kësaj jave e bllokuan projekt-ligjin për të shmangur mbylljen e qeverisë pasi bashkë me të ishte përfshirë edhe një dispozitë për të ngritur tavanin e borxhit ferderal, të cilin ata po përpiqen t’i detyrojnë demokratët ta miratojnë vetë pa mbështetjen republikane.

Por udhëheqësi i republikanëve në Senat Mitch McConnell tha se republikanët janë të gatshëm të mbështesin buxhetin federal për ta mbajtur qeverinë të hapur në vitin e ri fiskal që fillon të premten.

Që nga viti 1976, ka pasur 21 mbyllje të pjesshme të qeverisë amerikane.

Sipas ligjit, agjencitë qeveritare amerikane duhet të kenë financim të autorizuar nga kongresi për të funksionuar. Mbylljet zakonisht kanë ndodhur kur Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë mundur të bien dakord mbi nivelet e financimit për operacione të veçanta, ose nëse programet në fjalë meritojnë të financohen.

Pa fonde gjatë mbylljeve, shumë operacione të qeverisë ndalen, të tilla si pagesat e pensioneve, përpunimi i rimbursimeve të taksës mbi të ardhurat, apo qasja në parqet kombëtare. Sidoqoftë, operacionet e sigurisë kombëtare janë konsideruar thelbësore dhe punonjësit qëndrojnë në punë, edhe pse pagesat e tyre mund të vonohen.

Ndërkohë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi u tha kolegëve demokratë se Dhoma do të votonte së shpejti për heqjen e kufirit të borxhit të qeverisë.

Edhe nëse Dhoma e miraton atë, fati i tij në Senatin e ndarë politikisht, me 50 republikanë dhe 50 demokratë, është i pasigurt.

Republikanët në Senatit kanë refuzuar dy herë këtë javë përpjekjet për të hequr kufirin e borxhit, duke thënë se kjo është një përpjekje e demokratëve të opozitës për t’i hapur rrugën shpenzimeve të mëdha buxhetore për të zgjeruar programet e rrjetit të sigurisë sociale, më të mëdhatë që nga vitet 1960.

Republikanët kundërshtojnë në mënyrë të njëzëshme propozimet e mbështetura nga Presidenti Joe Biden.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen u tha udhëheqësve të Kongresit të martën se qeveria ka të ngjarë të mbetet pa fonde për të paguar faturat e saj deri më 18 tetor, nëse Kongresi nuk heq kufirin e borxhit, ose nuk e rrit atë në mënyrë të konsiderueshme, përtej totalit të tij aktual prej 28.4 trilionë dollarësh./voa

 

Fraksion.com