AktualitetOp-EdTë fundit

Peleshi: Ja kujtimi që do ta merrja me vete nga FA

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi  në një  Intervistë për News 24 ka folur mbi rikonfirmimin e tij në postin e ministrit dhe përgjegjësinë e kësaj detyre. Peleshi  ka dhënë detaje mbi projektet kryesore të këtij mandati qeverisës, sa i përket Ministrisë së Mbrojtjes, që është  Akademia e Forcave të Armatosura. Gjatë intervistës ai është fokusuar mbi  vizitën e tij në SHBA, në akademinë ushtarake West Point,  ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Rama, Bazën Ajrore të NATO-s në Kuçovë, si dhe mbi modernizimin e Forcave të Armatosura.

Zoti Peleshi, u është besuar nga kryeministri sërish detyra e ministrit të Mbrojtjes? Si ndiheni pasi jeni sërish nw krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë dhe mbrojtjes në vend.

Peleshi: Eshtë e vërtetë, duhet ta pranoj që Ministria e Mbrojtjes krahas dy tre ministrive të tjera bën pjesë në paketën e ministrive klasike dhe shumë të rëndësishme për shtetin. Kjo më bën të ndihem jo thjesht i kënaqur dhe krenar, por mbi të gjitha të ndiej përgjegjësinë e kësaj detyre. Kjo karrige ka një përgjegjësi të dyfishtë, duke patur parasysh që Shqipëria është një vend i NATO-s, pra strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes, Forcat tona të Armatosura, janë të parat që e kanë arritur tashmë integrimin në strukturat euroatlantike, në rastin tonë në NATO.

Ktheheni pas vizitës suaj në New York ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Rama, çfarë përfiton Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) nga modeli West Point ?

Peleshi: Duhet ta them se jam shumë i kënaqur, që një nga projektet tona kryesore të këtij mandati sa i përket Ministrisë së Mbrojtjes që është Akademia e Forcave të Armatosura kemi arritur ta sjellim në vëmendje të posaçme, të nivelit më të lartë të qeverisë që është kryeministri shqiptar. Kështu që jam i lumtur që realizuam një vizitë në West Point, e kemi në mendje dhe në referencë sa herë që mendojmë për projektin e ri të Akademisë së Forcave të Armatosura.

Nga pala amerikane, vëmendja politike është sjellë në nivelin më të lartë të mundshëm. Dua të zbuloj, nuk është një sekret i madh, që në Samitin e NATO-s, kryeministri Rama ka patur një takim me sekretarin e Shtetit zotin Blinken dhe, Akademia e Forcave të Armatosura, nevoja dhe vullneti ynë për të ndërtuar një partneritet me akademinë ushtarake West Point, është shprehur dhe është kërkuar dhe atje nga kryeministri i vendit.

Gjithashtu gjatë stërvitjes më të rëndësishme të 30 viteve të fundit, gjatë kësaj stërvitje ne patëm vizita tepër të rëndësishme historike, nga personalitetet më të larta ushtarake të NATO-s dhe kryesisht të ushtrisë amerikane në Evropë. Vetë komandanti Suprem i Aleancës, gjenerali me katër yje Tod Walters ishte këtu, si dhe zoti Xherard ishte në një takim të dytë me kryeministrin. Të gjitha këto takime i kemi shfrytëzuar për ta ngritur çështjen e Akademisë së Forcave të Armatosura dhe dëshirës sonë për të patur një model kampion të edukimit ushtarak të sigurisë dhe mbrojtjes në vendin tonë në nivelet më të larta. Dukej, gjatë vizitës sonë atje, se puna ishte bërë siç duhej, sepse ne gjetëm një derë të hapur në West Point, gjetëm një vullnet për bashkëpunim. Ka qenë një vizitë relativisht e gjatë që kryeministri dhe delegacioni shqiptar ka zhvilluar, por mbi të gjitha na kanë dhënë me vete bindjen se projekti për këtë bashkëpunim është i dyanshëm.

A keni ju një plan konkret për të ndjekur modelin West Point, që për hir të së vërtetës nuk është hera e parë që aplikohet në sistemin tonë arsimor ushtarak. Hera e parë që u aplikua ky model ishte vitin 2004. Çfarë ndryshon me ketë marrëveshje të re? Ka ndryshim me atë të 17 viteve më parë?

Peleshi: Të ndërtosh një institucion arsimor duhen dekada mbase dhe shekuj. Akademia e West Point-it ka një histori mbi 200 vjeçare, fillon në vitin 1807 nuk është një model që implementohet për disa vite dhe më pas nuk implementohet më. Është e vërtetë, në dijeninë time, që rreth vitit 2004 ka pasur disa shkëmbime dhe një tentativë për ta modeluar akademinë sipas atij modeli. Do të kemi mundësinë ta shpjegoj këtë model. Ne shqiptarët për fat të keq vuajmë nga konsistenca edhe nga persistenca, do të thotë duam t’i arrijmë gjerat shpejt. Asgjë nuk arrihet shpejt, aq më tepër investimet në arsim, mund të prishen shpejt edhe për një vit dhe pasojat i paguan një gjeneratë apo dy gjenerata. E para që duam të bëjmë është t’i japim seriozitet dhe gjithë durimin këtij projekti. Nuk mendojmë që mund të bëhet sa hap e mbyll sytë! E rëndësishme është të kemi dhe e kemi një vizion të qartë, ta fillojmë duke e ditur se ku do të shkojmë për një vit, për 5 vjet, por dhe për 10 vjet. Pra të punojmë me një plan të gjatë sepse ambicia jonë është të kemi në Shqipëri një West Point që i shërben Ballkanit Perëndimor, pra një West Point rajonal. Kjo është shumë e bukur të thuhet dhe shumë e vështirë të realizohet, ndaj kërkon një plan afatgjatë, kërkon një plan që nuk realizohet dot as nga një ministër, as nga një qeveri, por duhet të grumbullojmë konsensus rreth këtij projekti dhe, ta marrtë dreqi, për çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, të paktën për këto çështje politika duhet ta gjejë fjalën, t’i qëndrojmë ne dhe ata që do të vinë pas nesh këtij projekti për të patur një fillim dhe vazhdimësi të sigurt.

Përse përzgjodhët të aplikoni modelin e West Poinit, që për vetë amerikanët kjo akademi është një institucion i shenjtë, ku përzgjidhen më të mirët ndër më të mirët dhe nuk përzgjodhët atë anglez, apo gjerman, ose turk? Modele që ju i keni adoptuar më parë në sistemin arsimor ushtarak?

Peleshi: Aurora ka shumë modele, të cilat mund të ishin ndjekur, ka akademi shumë të mira edhe për SHBA; West Point nuk është akademia e vetme edhe shtetet e tjera kanë eksperiencë shumë të mirë, ne mund të zgjidhnim secilën prej tyre, por duhet thënë që në fillim se SHBA për ne janë partneri strategjik special, kemi një marrëdhënie të veçantë me ta, në kuadër të NATO-s dhe në rrafshin bilateral. Kemi një partneritet që ka dhënë frutet e veta dhe jetësohet në shumë disiplina, por sidomos edhe në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Eksperiencat tona të bashkëpunimit janë të gjata. Shkaku kryesor se përse ne shkuam pikërisht në këtë periudhe në SHBA ishte kremtimi i 20 – Vjetorit të partneritetit me shtetin e New Jersey-it. Në kuadër të këtij partneriteti ne kemi një bashkëpunim me gardën kombëtare të New Jersit, kemi pasur shkëmbime dhe projekte të përbashkëta, pjesëmarrje të përbashkëta në misione. Gjatë vizitës sonë ne kremtuam dhe 20 vjetorin e bashkëpunimit të shkëlqyer me ta. Pra kemi një marrëdhënie shumë të mirë, e dyta është pasi modeli i West Point-it, ne thelbin e vet ka formimin e karakterit. Ata edukojnë studentët e tyre si në shkencat ushtarake ashtu dhe në 13 profile të tjera kryesisht në shkencat inxhinierike. Ajo që është më e rëndësishmja dha ajo që dëgjon më tepër në prezantimet për West Point-in është karakteri. Pse ne kemi nevojë t’i orientojmë institucionet tona të edukimit duke vendosur në fokus karakterin dhe aq më tepër në Forcat e Armatosura? Ne po dalim nga një 30 vjeçar tranzicioni të turbullt. Ndryshuam nga një sistem në një sistem tjetër. Ndryshime dramatike politike, ndryshime radikale ekonomike, ka sjellë dhe deformimet morale të shoqërisë dhe në çorientimet e brezit të ri mbi të gjitha. Brezi që ka jetuar në këtë 30 vjeçar e ka pasur të vështirë të gjejë modelin e ri që duhet të ndiqet. Kë duhet të admirojnë: atë që ka bërë lek, apo atë që respekton ligjin, atë që punon për shtetin? Kjo duket si letërsi, por unë e quaj të domosdoshme. Bashkimin Europian ta gdhendim tek të rinjtë.

Më ka tërhequr shumë fokusi i West Point në formimin e karakterit. Nëse do të ishit me ne do të shikonit që në hyrje të West Point është një faqe muri ku shkruhet mos vidh, mos mashtro, mos gënje dhe mos i tolero të tjerët të bëjnë kështu. Një ndryshim tjetër mes modelit West Point dhe Akademisë sonë të Forcave të Armatosura është se deri tani ne kemi patur vetëm një degë, bachelor në shkencat ushtarake pra ne prodhojmë oficerë. Kemi traditë të mirë, është dege e denjë, por nga ana tjetër na mungon formimi në aftësimin në shkenca të tjera. Kjo do të thotë se shumë pozicione pune ne nuk i plotësojmë, na duhen inxhinierë IT, inxhinierë mekanike, ndërtimi. Ata nuk i gjejmë dot në treg privat, jo më në Forcat e Armatosura. Do investojmë në shkenca ekzakte. Misioni i West Pointit formëson liderë jo vetëm për ushtrinë por edhe për shoqërinë; këto janë ato që na kanë tërhequr dhe intriguar. Besoj se i kemi të gjitha kushtet të rrezatojmë të ndërtojmë një kontingjent të rinjsh me karakter.

Ju thatë se i keni kushtet, por çfarë mund të na thoni për kapacitet logjistike që ju zotëroni. A janë ato të përshtatshme për t’u përshtatur me modelin West Point?

Peleshi: Kjo frymëmarrja ime e thellë ka lidhje me një fakt që këtu ku jemi ne sot, ku është Ministria e Mbrojtjes dhe institucione të tjera, ishte shkolla Skënderbej, shkolla e mesme dhe akademia. Akademia është tkurrur për 10 vite ishte inekzistente, pra u mbyll, jemi në vitin e dytë të saj. Gjatë viteve të errët, këtu është bërë qendra e shumë institucioneve të tjera, kapacitetet hoteliere, logjistika e nevojshme janë të kufizuara. Forcat e Armatosura kanë sot në mbarë territorin hapësira për të ndërtuar projektin e kampusit të akademisë. Për hir të së vërtetës ne kemi ndërtuar një projekt goxha ambicioz, i cili kënaq kërkesat për tani dhe për 10 vitet e ardhshme për kapacitete hoteliere, pasi studentët tanë qëndrojnë këtu në kazermë, por edhe për kapacitetet e klasave dhe të mësimit. Shpresojmë se shumë shpejt do të jemi gati për të filluar nga ndërtimi derisa të përfundojë 1,5 ose 2 vite ne do të kemi mundësinë të kemi një kampus edhe nga pikëpamja e hapësirës dhe logjistikës.

Është një kritikë e vazhdueshme që e dëgjoj rëndom dhe që i adresohet lidershipit të Forcave të Armatosura dhe besoj shumëkush nga radhët e Forcave të Armatosura, ose tashmë që janë jashtë, do të donte që t’u pyesja: nuk kanë qenë ë paktë ata oficerë të cilët kanë studiuar në akademitë më të mira ushtarake, por pas disa vitesh shërbim kanë zgjedhur që mos të jenë më pjesë e ushtrisë pasi dhe vlerësimi si financiar për gradat e ulëta, apo meritokracia nuk kanë qenë gjithmonë në krahun e tyre. Çfarë duhet të ndryshojë?

Peleshi: Të gjitha këto që thatë ju janë të vërteta, të gjitha duhet të ndryshojnë. Së pari masa e shpërblimit, duke filluar nga ushtari i thjeshtë deri tek gradat më të larta. Duhet ta pranojmë ka ardhur koha të shtrydhim të gjitha mundësitë tona për të siguruar një pagë dhe një shpërblim më dinjitoz. Këtë e ka thënë edhe publikisht kryeministri në një ceremoni të vlerësimit, që ne bëmë para pak javësh me rastin e përfundimit të betejës me zjarret gjatë gushtit, ku u shpërndanë disa mirënjohje. Kryeministri tha se do të eksplorojmë rritje të shpërblimit për gjithë Forcat e Armatosura. Ne jemi rrethuar me vende me standarde me të larta se ne. Sfida jonë është si ta bëjmë atraktiv vendin.

Të kthehemi tek Forcat e Armatosura: disa gjëra ne nuk i rregullojmë dot shpejt. Ne nuk arrijmë sot standardin e SHBA-së, Greqisë, Gjermanisë. Unë mendoj që me mundësinë që ne kemi, të paktën disa pozicione mund t’i bëjmë mjaftueshmërish atraktive, aq sa për një student që përfundon jashtë shkollën, të preferojë të vijë këtu, sesa të qëndrojnë atje. Në Forcat e Armatosura ky devijim nga marrëdhëniet kontraktuale është më i vogël se në fushat e tjera. Ne bëmë një llogaritje dhe në 10 vitet e fundit është rreth 7%. Është përqindja e studentëve apo kursantëve që janë trajnuar apo kanë studiuar jashtë dhe që nuk janë kthyer në vendin e tyre apo në Forcat e Armatosura. Një përqindje që mirë do ishte të ishte zero. Nga njëra ana ne do të forcojmë sanksionet për ata që thyejnë kontratat, por nga ana tjetër unë nuk besoj se është çështje sanksionesh më shumë sesa është çështje atraktiviteti. Mirë është që në mos t’i mbajmë njerëzit me zor, pasi një forcë e armatosur që i mban me zor ushtarakët e vet, se kanë të lidhur një kontratë, nuk mund të jetë një forcë e motivuar. Ne duam që ata të jenë të motivuar të shërbejnë në ushtri, të jenë të motivuar që edhe brenda Forcave të Armatosura dikush që ka studiuar jashtë dhe që ka kapacitetin akademik të japë mësim, të kontribuoje për akademinë, pra të preferojë akademinë përpara forcave të tjera. Sot ka disa handikapë, që kanë lidhje me pikët, me kuotat, që duhen për t’u graduar. Në rast se je në akademi ti merr më pak pikë, në rast se ti punon në Forcën Tokësore si kolonel, ti ke më tepër pikë kur konkurron për gradën e radhës. Këto të gjitha do t’i rregullojmë. Ne do t’i barazojmë. Vullnetin tim e kam ndarë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm; është që t’i vlerësojmë më tepër ata që marrin pjesë në akademi, meqenëse akademia ka rëndësinë për të cilën folëm. Ato që po flisja nuk janë të kondicionuara nga ligji i karrierës, do të bëhen me rregulloret tona të brendshme.

Flasim për modernizimin e Forcave të Armatosura, kur do mbërrijnë helikopterët “Black Hawk”, perse po vonon ardhja e tyre për të qenë pjesë e Forcës tonë Ajrore?

Peleshi: Dy helikopterë “Black Hawk” tashmë janë të kontraktuar, ne kemi hyrë në fazën e pagesave. Kërkojnë kohën e tyre; jo për shkakun tonë, jo për shkak të pagesave, apo burokracive tona, por natyrisht duhet një kohë të bëhen gati dhe të vijnë këtu. Do të vijnë nga fundi i vitit 2022, maksimumi vijnë në fillim të vitit 2023. Ky është plani dhe marrëveshja me palën amerikane. Ndërkohë nuk kam pse e fsheh, ne po shikojmë të gjitha mundësitë tona për që në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura për ta shtuar flotën tonë. Duhet të pranoj diçka që në vite ne kemi dëshirën e mirë për të pasuruar dhe për të shtuar flotën tonë ajrore. Kemi helikopterë të markave të ndryshme por tani na kanë sjellë në vështirësi për shkak të kostove të mirëmbajtjes. Mirëmbajtja është një problem jo vetëm për ne, por edhe për vende shumë të zhvilluara. Nuk është kollaj të gjesh formulën për ta zgjidhur siç duhet mirëmbajtjen. Kemi nevojë të shkojmë drejt unifikimit dhe të shkojmë drejt sa më pak markave qoftë në Forcën Ajrore, apo Detare. Vizioni ynë është që tek helikopterët “Black Hawk” në rast se presim dy brenda mundësive tona buxhetore ta shtojmë flotën me helikopterë “Black Hawk” dhe, për helikopterët e tjerë të gjejmë një formulë mirëmbajtje. Unë personalisht do të jem shumë i lumtur që të arrijmë të ndërtojmë brenda Forcave të Armatosura kapacitete “in house” brenda nesh, për të bërë një pjesë të mirë të punimeve për mirëmbajtjen këtu, ta delegojmë prokurimin dhe mirëmbajtjen tek agjencitë e specializuara të NATO-s. Kështu kemi vepruar me helikopterin “Cougar” i cili përfundoi orët e fluturimit dhe ka nevojë për servis. Nuk bëmë procedura prokurimi vetë, por ia deleguam Agjencisë të Prokurimit të NATO-s që quhet NSPA, helikopteri është akoma aty, nga pikëpamja e procedurave ishte shumë shpejt. NATO ka kontrata të gatshme ne nuk kemi nevojë të futemi për tendera dhe për procedura blerjeje për sa kohë që ne kemi një partner të besueshëm me kontrata të gatshme dhe që prokuron për një sasi të madhe merr çmime më të mira, ka transparence, kjo është rruga. Ne nuk kemi planin apo mundësinë për të blerë avionë luftarakë, por duhet thënë se vende si ne me mundësi jo shumë të mëdha financiare ju vjen tani në ndihmë teknologjia. Teknologjia zëvendëson shumë nevoja dhe procese që në të shkuarën kërkonin makineri dhe shumë buxhet. Këto i zëvendëson me alternativa më ekonomike.

Me dronë ushtarakë?

Peleshi: Po me dronë ushtarakë, ne së fundmi kemi marrë 6 dronë ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi në fazën e trajnimit për pak muaj dronët do të jenë në veprim. Ne jemi në paqe dhe urojmë që të kemi gjithmonë paqe në rajonin tonë dhe në botë. Por Forcat e Armatosura nuk kanë funksione vetëm në kohë luftë por kanë funksione edhe në mbrojtje të civilëve, të qytetarëve në reagim ndaj emergjencave civile, ju na keni parë ushtria ka qenë në frontin e parë, ishim tek zjarret. Dronët na duhen për monitorim për vëzhgim, në vend të përdorim helikopterët tani kemi mundësi të përdorim dronët.

Ne do te kemi ta tani së shpejti bazën ajrore taktike të NATO-s, në Kuçovë ku gjatë gjithë vitit do të shikoni të parkuar, apo do shikoni të nisen dhe të ulen avionë luftarakë të NATO-s, për shkak se në këtë bazë po investohet nga NATO në shumën rreth 50 milionë euro, 10% të shumës po e investojmë ne pra nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Fillojnë punimet pas pak muajsh NATO ka bërë gjithë prokurimet, pra pas pak muajsh fillon punë për ndërtimin e Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, ku vazhdimisht do të ketë prezencë të avionëve luftarakë të NATO-s.

Mund të na zbuloni detaje në lidhje me kapacitetet e bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë?

Peleshi: Aty do te këtë kapacitete për parkimin e 16 avionëve luftarakë të NATO-s. Forca njerëzore do te jetë shqiptare do të kemi ekspertizën e NATO-s menaxhimi do të jetë nga ana jonë.

Në fund te kësaj interviste çfarë do donit të ndryshonte në Forcat e Armatosura dhe të mbante vulën tuaj?

Peleshi: Në rast se projekti i AFA do të merrte jetë gjatë kohës që unë jam ministër, kjo do të jetë një kënaqësi shumë e madhe për mua dhe një kujtim që do ta merrja me vete pasi është një investim afatgjatë. Çdo investim në edukim për 30 vite jep rezultatet e veta; është një farë që e mbjell sot dhe për dekada pastaj jep rezultate.

Në fushën e modernizimit ka ardhur koha të ndërtojmë industrinë ushtarake, të marrim përsipër nuk ka pse të ketë limite, ne sot jemi vend i hapur, kemi qindra kapacitete njerëzore të shkolluar jashtë, nga e kaluara kemi teknikë, që kanë punuar në këtë industri, në rast se organizohen mund të na hapin mundësi të reja.

 

Fraksion.com