AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Escobar: Kosova ka pasur të drejtë në reciprocitet, por u befasuam me mënyrën

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar tha se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Ai po ashtu tha se Kosova ka pasur të drejtë të vendosë reciprocitetin, por Uashingtoni u befasua me mënyrë e zbatimit të këtij vendimi.

“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja është vendi i duhur për të gjetur zgjidhjen dhe falënderoj të dërguarin e Posaçëm të BE-së, (Mirosllav) Lajçak dhe ekipin e tij për punën e madhe që kanë bërë”, tha Escobar gjatë një konference për media në Bruksel më 30 shtator.

“Mësimi është që në partneritet me BE-në mund të bëjmë një përparim në ndihmën e Ballkanit që të integrohet më shumë me BE-në pas një periudhe të vështirë në të cilën kaloi rajoni”, shtoi ai.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe se varet nga vullneti politik i palëve.

Kur u pyet se a kanë qenë të informuar nga pala kosovare se do ta vendosin masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, zyrtari amerikan tha se “Kosova ka pasur të drejtë ta bëjë këtë”, por se u befasuan me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.

“Kosova ka të drejtë në reciprocitet dhe kjo ka qenë e ditur. Por, u zumë shumë në befasi me mënyrën e zbatimit. Por, këtë e prisnim që të ndodhë në një moment. Jemi të lumtur që siguruam uljen e tensioneve”, tha ai duke shtuar se duhet gjetur zgjidhje afatgjate për çështjen e targave.

Më 30 shtator, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak njoftoi se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për situatën në veri të Kosovës.

Që prej 20 shtatorit, kur Kosova vendosi masën e reciprocitetit për targat me Serbinë dhe dërgoi njësitë speciale të policisë, rrugët në afërsi të pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak u bllokuan nga serbët lokalë.

I dërguari i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po ashtu foli edhe për moratoriumin për njohjen e Kosovës dhe ndaljen e fushatës për çnjohjet, që derivon nga Marrëveshja e Uashingtonit të arritur më 4 shtator 2020. Ai tha se mbajtja e këtij moratoriumi do ta ndihmonte dialogun ndërmjet Kosovën dhe Serbinë.

I pyetur nëse DASH-i mendon që Kosova e ka “rrezikuar sigurinë kombëtare” duke vendosur reciprocitetin për targat, siç kishin raportuar mediat në Kosovë se i është thënë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Escobar tha:

“Nuk do të komentoj për komunikimet diplomatike. Kemi kanale të komunikimit dhe kemi përcjellë porositë për përmbajtje dhe këtë palët e kanë bërë”.

Zyrtari amerikan u pyet po ashtu nëse ishte i shqetësuar për praninë ushtarake të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën, me pjesëmarrjen e diplomatëve dhe ushtarakëve rusë dhe se a është opsion vendosja e zonës ajrore dhe tokësore të sigurisë rreth Kosovës.

“Kemi parë përshkallëzim nga të dyja anët e kufirit dhe kjo nuk ndihmon. Kemi parë angazhimin e faktorëve që nuk janë të përfshirë në dialog dhe nuk ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjes. Jemi në kontakt me të dyja palët dhe u kërkojmë që të përmbahen”, tha ai.

Gjatë kësaj konference për media në Bruksel, Escobar u pyet edhe për mundësinë që SHBA-ja të emërojë ndonjë të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, siç më parë ishte emëruar ambasadori Richard Grenell.

“Mbetet të shihet, por në ndërkohë unë jam përfaqësues i Departamentit të Shtetit për rajonin dhe unë do të punoj aq sa mundem, në mënyrë të hapur për të ndihmuar rajonin”, tha Escobar./REL

 

Fraksion.com