Florida padit administratën Biden mbi politikat e emigracionit
Florida ngriti padi kundër administratës së Presidentit Joe Biden të martën, duke pretenduar se politika e tij e emigracionit është e paligjshme. Guvernatori republikan Ron DeSantis nënshkroi një urdhër që ndalon agjencitë shtetërore të ndihmojnë në zhvendosjen e emigrantëve pa dokumenta të mbërrijnë në shtetin e tij.
Urdhri i guvernatorit DeSantis autorizon Departamentin e Zbatimit të Ligjit të Floridës “të ndalojë çdo avion, autobus ose automjet tjetër brenda shtetit të Floridës që besohet se po transporton të huaj të paligjshëm nga kufiri jugperëndimor”.
Ai gjithashtu urdhëroi agjencitë të mblidhnin informacion mbi identitetet e çdo emigranti që mbërrom ilegalisht në Florida nga kufiri SHBA-Meksikë dhe u tha agjencive shtetërore që të mos shpenzojnë para për të ndihmuar këta emigrantë nëse nuk kërkohet me ligj.
Ligjvënësja demokrate e këtij shteti Anna Eskamani kritikoi zotin DeSantis, duke thënë se ai po përdor çështjen e emigracionit për të fituar pikë politike me bazën e tij konservatore, në vend që të përqëndrohet në çështje të tjera me të cilat përballet shteti.
“Ai është tërësisht i pamatur dhe thjesht dëshiron t’u tërheqë vëmendjen njerëzve të zakonshëm nga çështjet e jetës reale,” tha ajo. “Ne kemi një krizë strehimi të përballueshme. Kemi shqetësime për ndryshimet klimatike. Ne kemi njerëz që nuk mund të gjejnë një punë me pagesë të mirë. Ka kaq shumë çështje rreth nesh, dhe kjo është ajo që ai zgjedh të adresojë”.
Padia e Prokurores së Përgjithshëm të Floridas Ashley Moody pretendon se politika federale e imigrimit do t’i kushtojë shtetit miliona dollarë dhe do t’i shkaktojë dëme Floridës.
“Ndërsa disa emigrantë të ardhur kanë kërkesa legjitime për azil, shumë nuk kanë arsye. Disa janë anëtarë të bandave dhe trafikantë droge që shfrytëzojnë krizën në kufi, siç dëshmohet nga sasia marramendëse e fentanilit të kapur në kufi këtë vit,” thuhet në padi.
Kryeprokurorja Moody dhe guvernatori DeSantis mbajtën një konferencë shtypi në jugperëndim të Floridës, në të cilën dënuan ashpër Presidentin Biden për politikat e emigracionin dhe vlerësuan ato të ndjekura nga ish -Presidenti Donald Trump.
“Presidenti Biden po ndihmon dhe përkrah kartelet kriminale,” tha zonja Moody.
E pyetur për padinë dhe urdhrin e guvernatorit DeSantis, sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se ajo nuk e kishte parë padinë.
“Çdo republikan apo çdo anëtar që dëshiron të bëjë një bisedë konstruktive për të gjetur zgjidhje për tatë që ne të gjithë biem dakort se nuk është një qasje afatgjatë e qëndrueshme operacionale apo morale ndaj imigracionit, jemi të gatshëm të bisedojmë,” tha zonja Psaki.
DeSantis, i konsideruar si një kandidat i mundshëm presidencial në vitin 2024, ka sulmuar prej muajsh presidentin Biden për emigracionin. Ai dërgoi oficerë të zbatimit të ligjit të Floridas në Teksas për të ndihmuar në parandalimin e kalimeve itë paligjshme të kufirit, dhe së bashku me kryeprokuroren Moody më vonë vizituan kufirin dhe mbajtën një konferencë shtypi për të folur për këtë çështje./voa
Fraksion.com