Rama: Materiali emocionues nga BBC, i dëshmon botës shpirtin e shqiptarëve
Kryeministri Edi Rama ndau sot një kronikë të BBC, me dëshmi të qytetarëve afganë të strehuar në Shqipëri.
“Me këtë material emocionues nga BBC, që i dëshmon botës shpirtin mikpritës të shqiptarëve përmes zërit të afganëve të strehuar në Shqipëri, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet kryeministri Edi Rama.
Kronika e BBC nis me dëshminë e prezantueses televizive, Beheshta Arghand, e cila ka gjetur një strehë të sigurt, por larg atdheut të saj. “Shqipëria është vend i bukur. Ne jemi në një vend të bukur, por Afganistanin… e dua më shumë se veten”, thotë Arghand.
Prezantuesja televizive pati arsye të fortë për t’u larguar. Ajo u vu në shënjestër pas një interviste me një zyrtar taleban me pamje të ngurtë, që pyetej nga një grua, dy ditë pas rënies së Kabulit.
“Më dridheshin duart, kisha vërtet frikë, sepse ishte hera e parë që shihja personalisht një taleban. Shpresoj që, një ditë, talebanët ta kuptojnë se humbën një brez që janë si diamant dhe shkëlqejnë. Ata duan të punojnë për Afganistanin. Ata duan që Afganistani të bëhet më i fuqishëm. Mesazhi im për talebanët? Morët Afganistanin, por humbët një brez të fuqishëm”, thotë ajo.
Një tjetër humbje për Afganistanin dhe një tjetër familje e shpërngulur.
Në Kabul, Abdyl Hakim Maksudi ishte piktor. Muret mbrojtëse nga shpërthimi ishin kanavaca e tij. Ai dhe artistët e tjerë transformonin peizazhin e luftës dhe nxitnin ndryshimin social. Kur erdhën talebanët, i fshinë të gjitha muralet e tyre dhe e zhytën Afganistanin në terr.
Ai thotë se kjo i theu zemrën. Për të larguarit, ky është një ndryshim surreal, nga kaosi i Kabulit, në një vendpushim të kuruar me kujdes. Ata janë miq në një vend të huaj dhe një kulturë të huaj. Është një dritë drejt asaj ku shumë shpresojnë të shkojnë. Grupet humanitare amerikane po mbulojnë kostot për ta. Ato bënë të mundur t’i sillnin afganët në Shqipëri, një aleate e patundur e SHBA-së.
BBC sjell edhe dëshminë e një pushuesi shqiptar nga Kosova që sheh një shëmbëlltyrë të vetes aty. Njëzet vjet më parë, ishte ai që i ikte luftës.
“Si shqiptar i Kosovës, me vjen keq për ta, sepse edhe ne kemi qenë në këtë situatë, kur na u desh të linim shtëpitë tona. Të jesh larg nga shtëpia dhe nga të dashurit e tu, është shumë e vështirë. Në atë kohë, unë isha fëmijë i vogël dhe, kur shoh fëmijët që vrapojnë këtu, më vjen vërtet keq për ta”, thotë Arbër Sulejmani.
Po ashtu, në kronikë BBC sjell edhe prononcimin e kryeministrit Edi Rama. I pyetur nëse mendonte se kombe më të fuqishme i kishin lënë në baltë afganët, Rama tha se “mund të them dhe mendoj se është e sigurt të thuhet se, që pas krizës së madhe të refugjatëve disa vjet më parë, Europa nuk e mori veten. Nuk e mori veten moralisht, nuk e mori veten strategjikisht dhe ende po vuan nga politika e refuzimit për të hapur dyert.
“Një derë e hapur do të thotë që ajo mund të vazhdojë të arsimohet, diçka që talebanët do t’ia kishin mohuar. Për tani, shumë jetë këtu kanë mbetur pezull dhe shumë shqetësohen për të dashurit e tyre të mbetur pas, pa asnjë rrugëdalje e asnjë vend ku të shkojnë”, thuhet në kronikën BBC.